Gjatë debatit e diskutimit për rreth 1 orë e 30 minuta në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan për koalicionin e opozitës dhe se si është e vendosur ajo përballë mazhorancës në zgjedhjet e 11 Majit, i ashpër ishte qëndrimi i Neritan Sejaminit.

Nën petkun e qytetarit të thjeshtë që do të hedhë votën e tij në kutinë e votimit, analisti pati kritika ndaj opozitës për mënyrën se si zgjedhin të kërkojnë votën e qytetarëve.

“Kapen më shumë miza me mjaltë se sa me uthull”, ishte fraza e tij, ku këshillon opozitën për të gjetur mënyrën e duhur të komunikimit me qytetarin. Sipas tij kjo e fundit në vend të punëve të bëra në të kaluarën duhet të përqendrohet tek vizioni për të ardhmen.

“Shumica e shqiptarëve janë kundër qeverisë, çështja është se a do të votojnë ata pro opozitës apo jo. Çështja është që po është e mundur, por opozita duhet t’i bëjë njerëzit si puna ime që të votojnë pro opozitës. Dhe për këtë duhet të thotë diçka që të më japë shpresë. Unë jam njeriu më i thjeshtë në votë për të votuar për opozitën. Nëse ju do të më tregoni mua këto gjëra, të më bëni të ndjehem keq që nuk të kuptoj ty për këto që po thua, të më bësh të ndjehem sikur jam i trashë, sikur nuk kuptoj nga politika ose sikur nuk kam informacion, nuk e fiton votën time.

Votën time e fiton kur je e përulur, kur më flet për një ëndërr për të ardhmen, kur më bën që të kuptoj për disa gjëra. Votën time e fiton në kuptimin që unë nuk i shikoj gjërat bardh e zi, i shikoj gri dhe unë mund të anoj nga grija jote nëse ti tregohesh me takt dhe e dashur në kuptimin e publikut. Kapen më shumë miza me mjaltë se sa me uthull. Ju jeni shumë uthull! Ju duket sikur keni dalë në publik dhe të na mbushni mendjen ne mosmirënjohësve që ne nuk iu kuptojmë ju se sa të mëdhenj jeni e sa shumë gjëra keni bërë. Gjysmën e këtyre gjërave që ti po mi thua mua sot, unë kam qenë aty i kam bërë dhe s’i përmend kurrë! Ju duhet të gjeni fjalë të reja, ide të reja, të shikoni përpara”, tha analisti./tvklan.al