Për herë të parë që prej vitit 2008, kampionati italian nuk do të ketë asnjë përfaqësues në finalen e kompeticioneve madhore ndërkombëtare.

Gjithsesi, Serie A është një ndër kampionatet që shpërblehet më shumë nga Kampionati Europian. Sipas asaj që del në raportin e “programit të përfitimeve të klubit”, elita e futbollit italian ka përfituar mbi 23 milionë euro nga aktivizimi i futbollistëve të tyre në Euro2024.

Gjithsej 92 lojtarë ishin pjesë e Europianit, të shpërndarë në mesin e 18 nga 20 ekipet e Serie A. Për periudhën 2020-2024, Federata Europiane e Futbollit kishte parashikuar gjithsej 240 milionë euro, nga të cilat 140 milionë euro do të ndaheshin për fazën finale të Euro2024.

Nga këta, Interi është klubi që do të fitojë më shumë, me një bonus prej më shumë se 3.8 milionë euro për 13 lojtarët e tyre. Në vendin e dytë, çuditërisht është Bolonja, ekip që do marrë rreth 2.5 milionë euro. Në podium Milani, me mbi 2.4 milionë euro.

Një pjesë të rëndësishme të këtyre të ardhurave kanë mbërritur nga futbollistë të kombëtares shqiptare. Koloni e vërtetë kuqezi në Serie A, me lojtarë si Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami dhe Medon Berisha që ishin pjesë e Euro2024.

Klan News