Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur për herë të tretë nga UEFA për incidentet e ndodhura në ndeshjen e Euro 2024 kundër Spanjës, që u luajt më 24 qershor në stadiumin e Dyseldorfit.
Penalizimi financiar erdhi sërish nga problematikat e shkaktuara nga disa tifozë shqiptarë, të cilët hodhën objekte në fushën e lojës, transmetuan mesazhe të papërshtatshme, ndezën flakadanë gjatë takimit, por edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës.
Në total, për të gjitha këto shkelje, institucioni shqiptar i futbollit duhet të paguajë 86500 euro.
FSHF u gjobit edhe në dy ndeshjet e raundeve të para në Europian. Ndaj Italisë mori një penalizim prej 37,375 eurosh, kurse ndaj Kroacisë 47.500 euro.
Incidentet në Europian i kanë kushtuar institucionit shqiptar të futbollit 171375 euro.
Tifozët kuqezi kanë qenë të shumtë në numër për të mbështetur përfaqësuesen shqiptare gjatë eventit të rëndësishëm.
Ata morën vëmendjen e mediave me atmosferën e krijuar në rrugët e qyteteve të Dortmundit, Hamburgut dhe Dyseldorfit, si edhe për sjelljen miqësore të treguar me fansat e ekipeve rivale.
Klan News