Klaus Gjasula do ta mbajë mend gjatë ndeshjen kundër Kroacisë në kampionatin europian.
Mesfushori kuqezi, i cili u fut si zëvendësues në lojë në minutën e 72’, nuk u besoi syve kur e futi topin në portën e mbrojtur nga Strakosha, 4 minuta më pas, duke bërë që kroatët të festonin golin e avantazhit.
Por kur kishin kaluar 94 minuta e 23 sekonda, mesfushori 34 vjeçar bëri të shpërthente stadiumi, duke realizuar golin e barazimit, që i jep ende shpresë kuqezinjve të Silvinjos.
Gjasula bëhet futbollisti i parë në historinë e kampionatit europian, që futet si zëvendësues dhe shënon në të dy portat. Goli i tij i dytë është më i vonshmi i shënuar në një europian, pa përfshirë rastet kur sfida shkon me pjesë shtesë.
Pas takimit, futbollisti tregoi emocionet për këtë ndeshje të veçantë.
Klaus Gjasula, mesfushor i kombëtares: Ishte shumë e vështirë. Minutat e para kur hyrja jo vetëm autogoli, por edhe disa situata që nuk i bëra shumë mirë ose nuk i bëra mirë fare. Pastaj deshi Zoti që ma dha edhe këtë shansin për të shënuar këtë golin. Një ditë shumë e bukur historike për mua. Spanja? Normale që do e provojmë.
Përballja e fundit e Grupit B për kuqezinjtë do të jetë më 24 Qershor në ‘Dyseldorf Arena’ në orën 21. Shqipëria ka nevojë për një fitore që të vazhdojë garën.
Klan News