Erisa Zykaj: Euroklan ju njeh fillimisht me aktualitetin europian që ka dominuar këtë javë. SHBA dhe Evropa janë në konkurrencë midis tyre për sa i përket strategjisë së sigurisë. Evropa ka nevojë për SHBA, por njëkohësisht nuk do që t’i nënshtrohet atyre.

Madeleine Albright: “Ne jemi në konkurrencë për sa i përket burimeve të sigurisë për të kapërcyer çështje që duhet të përballojmë. Mua nuk më vjen mirë të shoh këtë konkurrencë, pasi ka aq shumë gjëra për të bërë. Lufta kundrejt terrorizmit është një nga më të rëndësishmet që na kërcënon të gjithëve dhe BE dhe NATO duhet të bëjnë kombinimin e forcës. Në mars dhe prill grupi yne do të vizitojë çdo shtet anëtar të NATO-s, për konsultime të mëtejshme dhe për të hartuar një raport final që do t’i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s”.

Daniel Fried: “SHBA dhe BE kanë bërë një deklaratë të përbashkët dhe para kësaj Parlamenti Evropian ka pranuar një rezolutë lidhur me pranimin në territorin Evropian të burgosurve të Guantanamos.  Ne kemi bërë progrese, por kemi ende punë për të arritur qëllimin e përbashkët, mbylljen e burgut të Guantanamos.”

Erisa Zykaj: BE e ka kuptuar më së fundi se duhet ndryshuar qëndrimi ndaj talebanëve. Jo të gjithë talebanët janë armiq, ndaj duhet negociuar me ta. Çështja bëhet më e komplikuar duke ditur që rrjeti i Al-kaedës nuk është vetëm në Afganistan, por në Pakistan dhe në vendet e tjera.

Catherine Ashton: “Një nga çështjet me të cilat do të merremi është të shohim se si të bëjmë kontributet e BE në Afganistan më efektive, gjithashtu do të shohim se si mund të mbështesim forcimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e infrastrukturës në Afganistan, ku BE mund të ndihmojë ndjeshëm për zhvillimin e Afganistanit”.

Erisa Zykaj: Çfarë ndodh aktualisht me procesin e integrimit evropian? Shumë vende të Ballkanit kanë pengesa të jashtme. Maqedonia është e bllokuar nga Greqia, Kroacia vazhdon të bllokohet nga Sllovenia, Serbia duhet të përmbushë kushtet për Gjykatën e Hagës. Është vetëm një vend që nuk ka pengesa të jashtme, është Shqipëria. Shqipëria ka pengesa të brendshme lidhur me klimën politike në vend.

Hannes Swoboda: “Ne i bëjmë apel Sllovenisë që t’i jap fund procesit të ratifikimit të marrëveshjes me Kroacinë, ose nëse Sllovenia nuk do të ratifikojë këtë në kohë, atëherë të paktën të hapi të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit, pasi është që koha t’i jepet mundësia Sllovenisë për të hapur të gjithë kapitujt”.

Vuk Jeremiç: “Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës siç e kemi bërë. Ky angazhim nuk do të braktiset”.

Erisa Zykaj: “E rëndësishme ka qenë këtë javë edhe nisma e disa deputetëve shqiptarë të Partisë Socialiste, për të ardhur në Bruksel dhe për t’u takuar me përgjegjësin për Shqipërinë në Komisionin Evropian, si dhe personazhet më kryesor të Parlamentit Evropian. Ata kanë marrë mbështetje se opozita duhet të futet në parlament brenda marsit”.

Libor Roucek: “Do të dëshiroja që vendimi të merret nga e gjithë partia para mbarimit të afatit, që do të thotë përpara marsit. Mesazhi im është ‘Duhet rikonsideruar situata’, jo vetëm në Shqipëri por, ka një rregull të përgjithshëm. Bojkoti i parlamentit nuk të çon asgjëkundi”.

Ben Blushi: “Një grup jo i vogël deputetësh të Partisë Socialiste përfshirë dhe ne, kemi vendosur të hyjmë në parlament në një afat sa më të shpejtë, gjë që shpresojmë që do ta vendosi gjithë grupi parlamentar, por ajo që na vjen mirë është që në të gjitha takimet që kemi patur, është që hyrja e opozitës në parlament është gjë që inkurajohet, për mos thënë që kërkohet si detyrim i çdo opozite demokratike”.

Doris Pack: “Është një lajm i mirë dhe unë i respektoj ata, sepse ata tregojnë se votat  e elektoratit në Shqipëri dhe interesat e vendit qëndrojnë më lart se të çdo partie”.

Anids Harasani: “Jemi të bindur, jemi të bindur që bashkë me këtë mbështetje, bashkë me bisedat që ne kemi me kolegët tanë në Tiranë, ne do arrijmë që shumica e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në date, në një datë të afërt të futet në parlament dhe të ushtrojmë detyrën tonë kushtetuese”.

Hannes Swoboda: “Nëse të zgjedhin është detyrimi yt të shkosh në parlament, mund ta bojkotosh një ditë, ose një javë, por bojkoti mund të jetë vetëm një aksion i shkurtër dhe jo afatgjatë”.

Erisa Zykaj: Në Këshillin e Evropës të gjithë janë të ndërgjegjshëm, se Shqipëria ka kaluar në periudha të vështira, sidomos në atë të komunizmit, por vendi ka bërë shumë progres kohët e fundit sidomos në këto dy vjet, ndaj Këshilli i Evropës nuk mund të lejojë që demokracia të cenohet në Shqipëri dhe i thotë në mënyrë të qartë bojkotit Jo.

Tiny Kox: “Me gjithë respektin për opozitën shqiptare dhe duke kuptuar dhe ankesat e tyre, ne e Majta e Bashkuar Evropiane nuk shohim argumente të forta për vazhdimin e bojkotit dhe i themi liderit të Partisë Socialiste “Z.Rama boll bojkotove parlamentin, fillo të përfitosh nga ai”.

“Bojkoti i parlamentit nga Partia Socialiste ka krijuar një klimë politike që paralizon funksionimin e institucioneve demokratike bllokon reformat e nevojshme evropiane dhe cenon imazhin e Shqipërisë, por edhe në Evropës, sepse Shqipëria është një element i Evropës”.

“Mund të bëhen protesta , mund të kërkohet edhe komision hetimor mbi zgjedhjet, por kurrë duke braktisur një organ nga i cili varet jeta demokratike e një populli, sepse kjo është një tradhti e popullit”.

Egidijus Vareikis: “Në raportin tonë për zgjedhjet në Shqipëri, thuhet se Shqipëria i plotësoi shumicën e standardeve të OSBE-së, shënoi progrese të dukshme. Nuk kishte evidencë të manipulimit të numërimit të votave dhe të rezultatit. Ky është raporti që e kemi hartuar vet ne, atëherë le të jemi logjikë, mos t’i futemi problemeve, rinumërim të votave, parregullsi, etj, etj. Nëse ne nuk i besojmë raporteve që shkruajmë vetë, atëherë përse kemi harxhuar lekë kot për vëzhgimin e zgjedhjeve? Më mirë ti kishim shpenzuar për ide të tjera”.

David Wilshire: “Rezoluta do të thotë që ne jemi shumë të shqetësuar për cenimin e demokracisë në Shqipëri për shkak të bojkotit, sepse bojkoti duhet të marrë fund. Të 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kanë nënshkruar se ata besojnë në demokraci dhe demokracia bëhet në parlament”.

Mesila Doda: “Në Komunitetin e Monitorimit është kërkuar të dihet shumë herë se përse është ky qëndrim ekujvok, pra nga njëra anë kërkohet komitet hetimor, komision hetimor për zgjedhjet dhe nga ana tjetër nuk hyet në parlament dhe të kërkohet në parlament ngritja e këtij komisioni hetimor pasi të bëjnë betimin si deputetë dhe të plotësojnë ligjet në fuqi”.

Ilir Rusmajli: “Asambleja Parlamentare ka thënë që çdo lloj kërkese që mund të bëhet për komisione hetimore duhet t’i nënshtrohet rregullave të vendit, Kushtetutës, ligjit dhe në mënyrë të veçantë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Është pikërisht ajo që prej muajsh ne i kemi thënë partnerëve tanë të Partisë Socialiste. I kemi thënë jemi dakord që të ketë komision hetimor për zgjedhjet në Shqipëri, por jemi dakord që ky të mos të bëhet me marrëveshje nën tavolinë, por të bëhet më Kushtetutë, me ligjin për komisionet hetimore dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.

“Sapo kam vizituar Shqipërinë dhe mund t’ju them se janë bërë progrese të dukshme, madje spektakolare në nivelin e jetesës së burrave dhe grave që jetojnë atje”.

Erisa Zykaj: Me këtë mesazh nxitës të Këshillit të Evropës që është organizata që mishëron dy simbole të bukura, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, Euroklan ju thotë mirupafshim javën e ardhshme”. /tvklan.al