Trajneri i Shqipërisë U-19, Julian Ahmataj, ka publikuar listën me 22 futbollistët që do të jenë në grumbullim, për tre sfidat e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Euro 2025 për këtë grupmoshë.
13 nga lojtarët e ftuar nga stafi teknik i U-19 janë pjesë e klubeve të huaja si Lazio, Parma, Genoa dhe ADO Den Haag, ndërsa pjesa tjetër janë futbollistë që aktivizohen në kampionatin shqiptar. Kuqezinjtë kanë zhvilluar disa takime miqësore përgjatë kësaj periudhe për tu përgatitur si duhet për këtë raund.
Nga e diela, skuadra do të grumbullohet në Durrës, ku do të zhvillojë përgatitjet deri në fund të këtij raundi. Shqipëria e Ahmatajt është pjesë e grupit 11, ku përballë do të ketë kundërshtarë si Danimarka, Irlanda e Veriut dhe Izraeli.
Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Izraelin, më 13 Nëntor në orën 14:00. Ndeshja e dytë e skuadrës së drejtuar nga Ahmataj do të jetë ajo ndaj Danimarkës, po në orën 14:00 më 16 Nëntor. Tre ditë më vonë, Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Irlandës së Veriut në ora 15:00. Të treja takimet e Shqipërisë do të zhvillohen në “Elbasan Arena”.
/tvklan.al