Autoritetet kërkojnë neutralitet në turneun që mbahet në Gjermani
Policia e Berlinit nuk do të mundet të vendos flamujt gjermanë në makinat e tyre të patrullimit gjatë Kampionatit Europian të futbollit.
‘Ndalimi i flamurit” u vendos nga shefja e policisë së kryeqytetit gjerman, që ndalon kështu përdorimin e simbolit kombëtar gjatë turneut nga 14 Qershori deri më 14 Korrik. Vendim që ka ngjallur polemika, teksa përjashtim do të bënte festa finale, në rast triumfi të kombëtares gjermane në kompeticionin e kësaj vere.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet gjermane marrin një vendim të tillë. Edhe në Kampionatin Botëror të zhvilluar në 2006, policia vendase shërbeu si neutrale, duke mos përdorur flamujt kombëtar. Berlini do të jetë ndër qytetet më mikpritëse të Euro2024, pasi në stadiumin e saj do të luhen 6 sfida, mes të cilave edhe ajo e finales së 14 Korrikut.
Europiani i këtij viti do të jetë edicioni i 17-të në histori, me kombëtaren shqiptare që merr pjesë për herë të dytë. Eksperienca e kuqezinjve do të nis më 15 Qershor në përballjen me Italinë, për të vijuar më pas ndaj Kroacisë më 19 Qershor dhe pesë ditë më vonë përballë Spanjës. Euro2024 do të vij për të gjithë teleshikues falas dhe ekskluzivisht në televizionin kombëtar “Klan”.
Klan News