Sa paguajnë dhe çfarë rruge ndjekin sirianët për të arritur BE

Gjatë ditës qarkulloi lajmi për arrestimin e një 25-vjeçari në Elbasan, i cili bënte transport të sirianëve nga Korça në Kosovë për 200 Euro. Një foto e shtetasve sirianë në Dardhë transmetohet si pjesë e këtij argumenti.

Më pas disa sirianë flasin për rrugëtimin e tyre të mundimshëm për të ikur nga vendi i tyre, duke paguar në vendet ballkanike, për të arritur në shtetet e BE-së.

“Përshëndetje. Jemi të gjithë nga Siria. Asnjëri nuk na ndihmoi. Njerëzit dhe policia na panë në rrugë, na pyetën nga jeni, i thamë nga Siria dhe na thanë ok, pa problem, vazhdoni! U nisëm nga Siria për Turqi, na kërkuan për një person 600 Euro nga Siria në Turqi, në Stamboll dhe nga aty në një qytet tjetër Edirne. Aty një tjetër mafia na kërkuan 1550 Euro për të shkuar në Greqi, në Selanik. Ecëm për 12 ditë 500 mijë km nga Turqia në Selanik. Nga Selaniku në Shqipëri s’kishte mafia, as lekë s’na kërkuan. Erdhëm nga malet, duke ecur nga fshati Bilisht. Nga Korça në Tiranë 100 Euro personi”.

“Mbërritëm në Tiranë, do të rrimë dy ditë dhe do nisemi për në Kosovë. Pas Kosovës për në Serbi dhe pas Serbisë mbase në Hungari ose në Rumani. Pas Serbisë është më e vështirë sepse po mbyllet… Mbase në Kroaci. Ne do të shkojmë në Serbi dhe do shohim rrugës sepse pa ndihmën e mafias nuk kalojmë dot për në Gjermani ose Holandë. Në Serbi ka mafia nëpër rrugë që të çojnë kudo, si në Gjermani, si në Holandë. Në Turqi dhe në Greqi mafia ishte në rrugë… Nuk kam kontakte me mafian në Serbi”.

“Unë nuk kam lidhje me mafian, por ato janë në rrugë dhe kur shohin arabë, të pyesin: Do të shkosh në Gjermani? Do të shkosh në Hollandë? Hajde se me 2 mijë Dollarë të çojmë në Gjermani… Në Turqi, në Greqi, në Serbi, në Rumani e gjithë mafia është në rrugë sa shohin arab… Në Shqipëri nuk ka mafia. Njerëzit janë të mirë dhe policia gjithashtu. Unë do iki në Kosovë dhe nuk kam nevojë për mafian. E njëjta gjë dhe në Serbi. Në Hungari mbyllet rruga dhe më duhet ndihma e mafias.

Po largohemi nga Siria prej luftës. Të gjithë po largohen nga Siria prej luftës. Unë punoja në një restorant, unë isha në shkollë, mekanik… Falenderoj nga zemra shqiptarët sepse jeni shumë të mirë”, rrëfeu një sirian për rrugëtimin e tyre të gjatë për të shkuar në BE, ku kanë më shumë siguri për jetën e tyre./tvklan.al