Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lajmin e vdekjes së Vullnetit në familjen Bytyçi në Myçhas të Kukësit nuk e solli as ndonjë lajmës i shtetit dhe as ndonjë familjar apo i afërm. Dy ditë pasi 18 vjeçari ishte nisur për në Greqi, nënë e babë dëgjojnë fatin tragjik të djalit. Nëna, motra dhe të afërm të familjes tashmë kanë vënë kujën, megjithëse trupi i pa jetë nuk ka mbërritur ende në fshat.

Vullneti ishte një nga 5 fëmijët e Mehdi Bytyçit, pak tokë dhe pak bagëti nuk mjaftojnë për të siguruar jetesën e 7 frymëve, kështu më i madhi Vullneti vendosi të nisej për të punuar në Greqi. Në odën e burrave, babai i tij të tregon me dhimbje, mëngjesin kur 18 vjeçari mori rrugën e mërgimit, rrugë nga ku nuk do të kthehet më kurrë.

Mehdi Bytyçi:- “Mori një çantë me bukë, atlete për të ecur në mal, për të shkuar për të punuar. Ka qenë 6 vetë, me 5 shokë. Tani unë nuk e kam parasysh ku janë vrarë, por 4 km pasi kanë hyrë në kufi. Tani, a ka ik ai, a e kanë qëlluar për qejf s’e di. Më tha, babë nuk rrihet këtu, i thashë, rri mor babë se atë copë pension do ta ndajmë, për një copë bukë. Jo tha, do iki. Udha mbarë i thashë. Pastaj e kemi marrë vesh nëpërmjet lajmeve”.

Ministria e Jashtme ka zyrtarizuar vrasjen e 18 vjeçarit. Ndërsa një tjetër familje pret me ankth për fatin e një të riu tjetër. Luan Metalia ka qenë bashkë me Vullnetin në momentin e vrasjes, deri tani familja e tij nuk di ende nëse është gjallë. Fshati Myçhas ka rreth 500 banorë, kryesisht pleq dhe fëmijë, djemtë e rinj emigrojnë. 13 vitet e emigrimit kanë bërë që çdo familje të ketë një histori malli dhe dhimbje, por historia e 18 vjeçarit të pafajshëm, duket se po i rëndon të gjithë./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj