Vështirësitë e krijuara në rrugët e vendit si pasojë e dëborës dhe ngricave ka sjellë vonesa për kthimin e emigrantëve në vendet e tyre të punës.
Probleme ka patur në lëvizjen e trageteve të cilat janë nisur nga porti i Durrësit me vonesë pasi kanë pritur për disa orë mbërritjen e udhëtarëve kryesisht nga veriu i vendit, Kosova apo Maqedonia.
“Shumë problem, shumë borë. Jo këtu në port jo, por gjatë rrugës kishte shumë borë. Jemi nisur nga ora dhjetë, kemi arritur në orën katër.”
“Jemi nisur rreth orës gjashtë të mëngjesit. Kemi mbërrit në Durrës rreth orës gjashtë në mbrëmje.”
Numri i udhëtarëve që ikin në drejtim të porteve të shtetit fqinj mbrëmjen e kaluar arritën në rreth 7 mijë pasagjerë, si dhe 830 automjete, ndërsa në 24 orët e fundit kanë ikur me tragete drejt porteve italiane rreth 12 mijë e 500 vetë në total dhe 1250 mjete.
Për autoritetin portual nata e kaluar konsiderohet si fillimi i fluksit në kthim. Fluks ka patur dhe në portin e Vlorës. Dy tragetet e fundit kanë transportuar rreth 2400 pasagjerë dhe 500 automjete.
“Gjithnjë radhën ne, s’na ndahet ne shqiptarëve radha. Gjithmonë ka problemet me tragetet këtu”.
Sipas tyre nuk është vetëm faji i organizimit, por edhe i shumicës së personave që kërkojnë të largohen në të njëjtën kohë.
Edhe në pikat e kalimit të Kakavijës dhe Kapshticës ka patur fluks, por kësaj here pa shkaktuar radhë.
Në Kakavijë në 24 orët e fundit kanë lënë Shqipërinë rreth 8400 persona me 2300 mjete, si dhe 60 autobusë.
Në Kapshticë kanë kaluar 4900 udhëtarë dhe 1500 mjete. Sipas policisë kufitare pritet që në orët në vijim në këto dy pika kalimi të ketë një fluks më të madh emigrantësh dhe për të evituar radhët do të punohet me orar të zgjatur./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani