Familja e presidentit sirian Bashar al-Assad dyshohet se është larguar nga vendi pak ditë pasi rebelët morën Alepon dhe nisën marshimin e tyre drejt Damaskut.

Lajmi raportohet nga gazeta Wall Street Journal, e cili shkruan se gruaja me origjinë britanike e presidentit Asma al-Assad së bashku me tre fëmijët e tyre janë larguar nga Siria në Rusi javën e kaluar.

Në të njëjtën kohë, dy nga dhëndërit e Asadit thuhet se janë zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Është e paqartë nëse vetë Assad është ende në vend, pasi media pro-qeveritare raportuan fillimisht se ai kishte kaluar në Iran, por më pas lajmi u hoq nga qarkullimi.

Gjithashtu Kombet e Bashkuara kanë nisur evakuimet urgjente nga kryeqyteti sirian Damasku, i cili po përballet me kërcënimin e një rrethimi nga rebelët.

Këta të fundit thanë të shtunën se morën kontrollin e qytetit jugor Daraa, pasi më parë ushtria e Asadit ra dakord për një tërheqje të rregullt nga qyteti.

Videot në rrjetet sociale treguan rebelët me motoçikleta dhe persona të tjerë që festonin duke qëlluar në ajër në shesin kryesor të qytetit ku rrëzuan një tjetër statujë të babait të presidentit sirian Bashar al-Assad, Hafez al-Assad.

Turqia, Rusia dhe Irani do të përpiqen të gjejnë një rrugëdalje për situatën në Siri, teksa ministrat e tyre të jashtëm do të takohen sot në Doha.

Tv Klan