Bakushja e nisi profesionin e saj si mami në Baldushk, në kohë të vështira por ia kishte dalë të fitonte besimin dhe zemrat e të gjithëve. Ndërkohë zemrën e saj e kishte fituar një mësues me të cilin edhe u martua pas disa kohësh. Pak muaj pas martese, bashkëshorti shkon ushtar dhe Bakushja mbeti vetëm e shtatzënë ndërkohë që duhet të shërbente në 14 fshatra.
Ajo nisi të shkonte nëpër shtëpi, por mbresat më të mëdha dhe kujtimet më të forta i ka nga një familje e veçantë. Bakushja tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan sesi ata e mbajtën në shtëpinë e tyre për muaj me radhë. Vajza e familjes, Mineja, e ndihmonte të kalonte lumin çdo ditë duke e mbajtur në krahë si një fëmijë.
Bakushe: Kur shkoj te shtëpia e kësaj zonjës që unë kam thirrur sot, që nuk di… i thotë gruas së vet, “thuaji Bakushes do të rrijë këtu”.
Ardit Gjebrea: I zoti i shtëpisë?
Bakushe: Po. Do të rrijë, do të hajë, do të pijë, do të flejë, do të rrijë këtu.
Ardit Gjebrea: Po pse, ti nuk e kishe shtëpinë e burrit?
Bakushe: E kisha në Petrelë, s’e kisha në Baldushk.
Ardit Gjebrea: Vendose të rrish në atë shtëpi. Ku flije?
Bakushe: Flija në dhomën e pritjes, me oxhak, rrija me këtë… Mineja ka qenë 15-16 vjeç.
Ardit Gjebrea: Pra Mineja ishte vajza e shtëpisë.
Bakushe: Po, ishte vajza e shtëpisë, ishte gjasme si më e madhja. Është një fshat në Baldushk, ka një lumë. E ka emrin Zhullim lumi dhe aty duhet ta kaloje se s’bën. Ndonjëherë kishte ujë, ndonjëherë mbushej kur binte shi, s’e kaloja. Mineja ditë për ditë, dy herë në ditë…
Ardit Gjebrea: Të çonte që të kaloje lumin?
Bakushe: Që të kaloja lumin dhe kur kthehesha…
Ardit Gjebrea: Të priste Mineja?
Bakushe: Po, më priste atje dhe më thërriste se kishte një çikë distancë, “Bakushe, mos i hiq këpucët se do të vij të të marr unë”. Për mua ishte shumë… isha edhe shtatzënë, u rëndova, vinte më merrte kështu (hap krahët), epo të mbahesh kështu nuk është…
Ardit Gjebrea: Të mbante në krahë?
Bakushe: Po, në krahë! Si fëmijë!/tvklan.al