Bakushja e nisi punën e saj si mami në Baldushk kur ishte vetëm 22 vjeçe. Asokohe ajo ishte vajza e vetme në një personel vetëm me burra, por aftësitë e saj dëshmuan se mund t’ia dilte mbanë pavarësisht moshës së re.
83-vjeçarja tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për fanatizmin e kohës lidhur me shtatzëninë, jetesën nëpër shtëpitë e banorëve dhe kujtimet e bukura që ruan nga ai vend. Në Baldushk, Bakushja gjeti edhe dashurinë me një mësues. Ajo ende skuqet teksa kujton njohjen e tyre dhe letrën e tij të dashurisë.
Bakushe: Duke ardhur me enët e ujit se ne mbushnim ujë në burim, më del një djalë përpara. Më tha “ka mundësi të flasim diçka?” I ula ato, urdhëro i thashë. “Të dua” më tha, “qëkur ke ardhur ditën e parë unë të kam pëlqyer”. I thashë unë nuk të njoh, as nuk më njeh, të lutem shumë mos më dil më përpara. Jo që doli, por vinte përditë në ambulancë, “vrava gishtin, vrava dorën, vrava këmbën”. Një ditë prej ditësh më vjen një nxënës, nja 10 vjeç ishte. “Bakushe, merre këtë letrën, ma dha mësues Mersini”, tha.
Ardit Gjebrea: E lexove letrën?
Bakushe: Po, e lexova letrën.
Ardit Gjebrea: Çfarë thoshte letra?
Bakushe: Letra thoshte…. ashtu..
Ardit Gjebrea: Po ty të pëlqeu?
Bakushe: Më pëlqeu. Filloi zemra pam-pam. Shkuan ca muaj, pak muaj. I thashë nëse e ke seriozisht, kam prindër, kam familje, shko. Shkoi në familje, u fejuam, u martuam në korrik të ’67-ës. Shkonim e vinim. Ai ishte mësues, unë isha mami në Baldushk. Shkonim e vinim bashkë, përditë por ishte 3 orë dhe 3 orë të vije. Pas 2-3 muajve martesë, e kërkojnë ushtar.
Ardit Gjebrea: E kërkojnë ushtar dhe ai vajti?
Bakushe: Iku, vajti ushtar.
Ardit Gjebrea: Po ti?
Bakushe: Unë në Baldushk.
Ardit Gjebrea: Po sikur s’ishe vetëm, ishe vetë i dytë këtë herë?
Bakushe: Po, unë isha shtatzënë./tvklan.al