Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkon që projektligji i pronave i kthyer për rishqyrtim nga presidenti Alfred Moisiu, të shihet më gjerë për ndryshimin e disa neneve dhe të mos fokusohet vetëm tek përbërja e komitetit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Fatmir Mediu: “Një shtet edhe institucione që legjitimojnë vjedhjen e 120 mijë hektarëve tokë në kundërshtim me ligjin, nga ana tjetër një shtet i cili tenton që të bëjë një ligj për të vazhduar korrupsionin, mendoj është një shtet që i shërben vetëm një grupi të caktuar individësh, por nuk i shërben aspak qytetarëve të vetë dhe ky është shqetësimi më i madh që ka Partia Republikane. Në qoftë se konsensus Presidenti i Republikës nënkupton që të arrihet një marrëveshje për komitetin e kthimit të pronave, ajo mund të jetë një gjë krejt e thjeshtë dhe e realizueshme, por nuk është realizuar konsensusi për zgjidhjen dhe respektimin e Kushtetutës dhe konventës europiane të të drejtave të njeriut dhe në këtë aspekt unë mendoj që është një problem shumë i madh dhe në qoftë se presidenti do të pranonte një zgjidhje të tillë vetëm për shkak të komitetit, unë mendojë që do të bëhej po ashtu pjesë e dhunimit të së drejtës së pronës në Shqipëri”.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i PS Gramoz Ruçi, e cilëson vendim politik mosdekretimin e projektligjit nga kreu i shtetit./tvklan.al