Qyteti i Beratit ka qenë ndalesa e radhës për kryetarin republikan Fatmir Mediu. Takimi me banorë të zonës, por dhe mbështetës e simpatizantë të Partisë Republikane u përqendrua në arritjet që koalicioni i djathtë, realizoi në katër vitet e mandatit të tij të parë.
Sipas Mediut reformat e suksesshme në fushën e ekonomisë, infrastrukturës e arsimit i dhanë vendit një progres të dukshëm që u finalizua me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO.
Fatmir Mediu: “Është meritë e beratasve dhe e gjithë shqiptarëve që në vitin 2005 votuan për ndryshimin e madh, votuan për një qeverisje e cila është e përkushtuar dhe e angazhuar për qëllimet e tyre. U bëmë bashkudhëtar me njëri-tjetrin për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. U bëmë partnerë me faktorin ndërkombëtar duke thyer skepticizmin e ndërtuar ndër vite. Gëzuar festën e madhe të shqiptarëve, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.”
Besimi që shqiptaret i kanë dhënë kësaj mazhorance do të rikonfirmohet në 28 qershor tha Mediu, duke u shprehur i bindur se e djathta është shansi i të gjithë shqiptarëve për të ecur përpara.
Sinkron Mediu: “Ëndrra dhe qëllimi ynë nuk mbaron këtu, nuk mbaron me një mandat. Ëndrra dhe qëllimi ynë është ëndrra dhe qëllimi i fëmijëve tanë, i prindërve tanë, i të gjithë shqiptarëve.”
Gjatë këtij takimi Mediu prezantoi kandidatët për deputetë të Partisë Republikane në Qarkun e Beratit ndër ta dhe zotin Astrit Veliaj./tvklan.al