Lajme Arkiva 2003

Pas mbledhjes së vonë të qeverisë e cila përfundoi me dorëheqjen e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Ilir Meta, kryeministri Nano gjen vend një ditë më vonë të shprehet rreth këtij veprimi. Duke e quajtur të papritur bërjen e saj publike në një mbledhje qeverie në analizën 6 mujore të saj. Po kështu kryeministri Nano është njohur këtë paradite edhe me dorëheqjen e Ministrit të Integrimit Sokol Nako, ai e konsideron të papritur dhe shpreh keqardhjen, por e ka pranuar këtë dorëheqje duke e falënderuar për bashkëpunimin ministrin Nako.

Fatos Nano: Ngjarja është e papritur vetëm në kontekstin se ndodhi në një mbledhje të qeverisë në një analizë 6 mujore shumë serioze, e cila në vend që të justifikonte largime forcoi frymën e ekipit dhe përsëriti angazhimet e ekipit qeverisës për më shumë punë dhe produkte si ky që inauguruam sot. Por ngjarja nuk është e papritur në të gjithë kontekstin e debatit politik në Partinë Socialiste të kohëve të fundit. Besoj se nuk mund të kualifikohet e papritur dhe pasoja e vetme e kësaj ngjarje, largimi i zotit Nako që para një ore më njoftoi gjithashtu dorëheqjen të cilën me keqardhje dhe duke e falënderuar për bashkëpunimin e deri sotëm u detyrova ta pranoj pasi kuptova që edhe zoti Nako e kishte të pakthyeshme dorëheqjen dhe nuk kishte hapësirë për të reflektuar nga ana e tij.

Zëvendësimi i dy ministrave që kanë mbuluar marrëdhëniet me jashtë sipas kryeministrit do pak kohë. Zëvendësimi i tyre do të ndodh përpara mbylljes së sesionit parlamentar, për ti dhënë kohë të gjithëve për të pushuar shprehet Nano apo për të vazhduar më tej punën.

Fatos Nano: Nga kjo pikëpamje s’ka ndonjë dramë, duhet vetëm pak kohë që në përputhje me kushtetutën dhe rregullat politike të mazhorancës të bëhet zëvendësimi i 2 të larguarve. Natyrisht edhe ju do të bëni pushime dhe qeveria do të vazhdoj punën duke u freskuar edhe me pushime. Do të jenë emra të mazhorancës, të Partisë Socialiste aspak të panjohur dhe që do të garantojnë një vazhdimësi pa firo.

Nano është pyetur edhe për modelin Berlusconi i cili e ka kryer edhe detyrën e Ministrit të Jashtëm pak muaj më parë, por Kushtetuta shqiptare ja ndalon këtë.

Fatos Nano: Nuk vuaj nga mungesa e modestisë apo deliri i madhështisë. Jam i qetë në këtë afirmim. Por në parlament dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë formalisht kjo zgjidhje është e pamundur. Jam i bindur që nuk ekzistojnë më rreziqe parlamentare apo institucionale.

Kryeministri Nano është i bindur se politika e mazhorancës së tij nuk përjashton askënd. Kur dikush prej jush largohet mazhoranca mbart kualitete zëvendësuese. Këto deklarata kryeministri Nano i ka bërë gjatë përurimit të rrugës Tapizë- Fushë Krujë. Rehabilitimi i së cilës është financuar nga qeveria italiane./tvklan.al