Lajme Arkiva 2003

Pas udhëtimit të tij në vendet e Evropës juglindore dhe pjesëmarrjes në samitin e nismës së Evropës qendrore në Varshavë, kryeministri Fatos Nano u rikthye në atdhe së bashku me delegacionin që e shoqëronte i kënaqur me rezultatet e takimeve. Por ndërkaq në Shqipëri vëmendja ka qenë e përqendruar në krizën që ka përfshirë Shqipërinë, rolin e presidentit në të dhe konkurrencën e Partisë Socialiste.

Fatos Nano: Unë do të shpresoja që konkurrimi i socialistit Rama, Edit, për kryetar partie të mos errësoj vlerësimet e tij të deri sotme për veten, për mazhorancën socialiste dhe progresiste që i dha mandatin e dytë dhe për vendin që ka Bashkia e Tiranës në qeverisjen evropiane të Shqipërisë. E them këtë sepse po më konsolidohet përshtypja se platforma e alternativës konfliktuale dhe jo vetëm konkurruese Rama apo të ndonjë kandidati që kam përshtypjen nuk e di as vetë në është në garë apo është tërhequr, apo të disa mbështetësve të tyre të njohur që nuk konkurrojnë vetë, është jo politike se sa financiare, është jo qeverisëse se sa buxhetore dhe është e lidhur me interesa shumë më të pjesshme dhe grupesh që përgjithësisht karakterizohen nga fshehja e origjinës së kapitaleve apo pasurive të patundshme mbi të cilat ekzistojnë se sa interesat kombëtare.

Lidhur me raportin e OSBE-së dhe kritikat serioze mbi qeverinë, kryeministri Nano shprehet:

Fatos Nano: Qortimet e prezencës së OSBE-së në tiranë janë asimiluar nga vlerësimi i përgjithshëm konstruktiv dhe nxitës për kapërcimin  e problemeve që ka vendi ynë aktualisht, të të gjitha vendeve anëtare dhe sigurisht edhe Shqipëria ka vendin e saj si vend anëtar i të njëjtës organizatë që është prezente në Shqipëri dhe që financohet edhe me kontributet tona.

Për rolin e presidentit në krizën e qeverisë, i cili është kritikuar edhe nga opozita për pasivitetin e tij në këtë çështje, kreu i qeverisë thotë.

Fatos Nano: Unë do të takohem me presidentin në vazhdim të bashkëpunimit institucional dhe kushtetues midis presidentit dhe qeverisë që nuk ka patur probleme deri tani për të kuptuar më mirë edhe pyetjen tuaj edhe për të shpjeguar më mirë edhe me presidentin arsyet informale të akuzave të kësaj opozite që nuk njeh në historinë më të freskët të shtetit shqiptar që nga Kushtetuta e deri te presidenti i radhës apo rezultatin e zgjedhjeve në mënyrë të përsëritur.

Pyetjes së Tv Klan se kur do të paraqiten në parlamentin emrat e dy ministrave që mungojnë në qeverie përpara apo pas kongresit të socialistëve Nano përgjigjet:

Fatos Nano: Unë besoj se kongresi i socialistëve është kongresi i socialistëve, është kongresi i mazhorancës, e cila u rikonfirmua si e tillë edhe në zgjedhjet vendore. Për pasojë këtë çështje do ta zgjidhin disa institucione. Unë si kryetar i mazhorancës, kongresi i partisë drejtuese të mazhorancës, kuvendi ku vazhdon të jetë mobile mazhoranca dhe Presidenti i Republikës që po ndjek me vëmendjen e duhur mobilitetin e kësaj demokracie normale që po jetojmë të gjithë dhe që më vjen mirë që media po buzëqesh./tvklan.al