Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Komiteti i Politikave Ekonomike është mbledhur për të vlerësuar situatën për njohjen kthimin dhe kompensimin e pronave në një kohë kur projektligji për këtë çështje ka përfunduar shqyrtimin në komisionet parlamentare dhe pret miratimin nga Kuvendi. Sipas kryeministrit Fatos Nano, numri i pronarëve pretendues është shumë më i madh nga realiteti i vitit 1938.
Fatos Nano:- “Pretendimet për pronësi të depozituara janë më të mëdha se tërësia e pronave të regjistruara në vitin 1938. Arsyeja themelore është mbivendosja e pronave dhe pronarëve sidomos me vendime të lehta gjykatash të ndryshme në dekadën e fundit”.
Shefi i qeverisë kërkoi që grupi i punës me ekspert të administratës shtetërore, të përfundojë të gjitha evidentimet, për sipërfaqet e lira të truallit, zonave të lira turistike dhe kompensimit të mundshëm deri në fund të muajit Prill, të gjendet ekuilibri me projektligjin e shqyrtuar në kuvend për të korrigjuar padrejtësitë e bëra gjatë ndryshimeve historike, si dhe njohjen e një pronari të ligjshëm, për çdo truall që të shmangin konfliktet.
Në fakt për këtë çështje faji i është hedhur pushtetit gjyqësor nga kryetari i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i cili sugjeroi që kompensimi fizik për zonat e lira turistike të mos jetë më shumë se 10 hektarë, por nga ana tjetër të respektohet kthimi fizik për të mos rënduar faturën financiare të buxhetit të shtetit edhe pse realisht qëndron problemi, se sipërfaqja e lirë për kompensim është shumë më e vogël.
“Të mos kërkojmë atë që s’bëhet, do bëjmë atë që është e mundur për t’u bërë dhe duke parë shifrat për të cilat unë nuk mund sot të them që kompensimi fizik i cili do të jetë prioritar dhe është një nga pikat që unë ngre, në mënyrë që të kufizojmë në maksimum faturën ndaj shtetit tonë për këtë punë dhe shifrat janë optimiste. Si shkencëtar që jam, dua të them që mënyra si u organizua dhe si u bë ky studim …”/tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj