Lideri historik i së majtës, Fatos Nano, njeriu që mbajti socialistët në pushtet për tetë vjet me radhë, deklaroi mbrëmë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Televizionin Klan se Partia Socialiste nuk mund t’i fitojë këto zgjedhje pasi ajo është në kaos.
Për Nanon kjo parti nuk mund të konkurrojë përballë sfidave të integrimit dhe asnjë lloj sfide tjetër.
Në të parën dalje publike pas afro dy vjetësh Fatos Nano bëri një analizë të thellë të zhvillimeve politike në vend, por në veçanti të gjendjes në të cilën ndodhet e majta dhe të partisë që ai themeloi dhe drejtoi për afro një dekadë e gjysmë.
Ai lëshoi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryetarit aktual të selisë rozë duke thënë se Rama e grabiti dhe e bleu Partinë Socialiste, e deformoi atë, e përçudnoi, e degradoi dhe i fshiu asaj memorien politike.
Fatos Nano: “Tashmë prej katër vjetësh në Partinë Socialiste, e cila jo vetëm u grabit apo u ble nga kryetari i bashkisë së Tiranës, por dhe u deformua, u degradua, u përçudnua, iu fshi memoria dhe arkivi i eksperiencës politike dhe qeverisë, tashmë edhe po transformohet nga pikëpamja e përfaqësuesve me njerëz pa identitet dhe që nuk ka asnjë rekord publik në politikë apo në administrimin publik të shtetit dhe të qeverisjes.”
Nano u shpreh me shqetësim për të gjitha zhvillimet brenda gjirit të socialistëve dhe tha se ata po përfaqësohen zyrtarisht nga njerëz pa identitet.
Ish-kryeministri foli edhe për listat e kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste duke thënë se vonesat në shpalljen e tyre faktojnë ekzistencën e një politike okulte, të mbyllur pas interesave aspak përfaqësues që Rama ka ushtruar deri më sot në Partinë Socialiste.
Nano tha gjithashtu se fakti që deri në minutat e fundit partia më e madhe në opozitë nuk po e bënte detyrën e saj ndaj publikut ka çuar në kaos të vërtet selinë e Partisë Socialiste në Tiranë dhe në rrethe.
Fatos Nano: “E gjithë selia e Partisë Socialiste, jo vetëm ne Tiranë, por dhe në rrethe është në kaos të plotë. Do të thotë…”.
Blendi Fevziu: “Nga e keni këtë informacion?”
Fatos Nano: “Nga socialistët e vërtet, të cilët jo vetëm kanë qenë dhe mbeten të shqetësuar për fatet e familjes së tyre politike, por mbeten edhe në këto çaste në kontakt me kryetarin e tyre historik. Unë besoj se listat e Partisë Socialiste, të cilat nuk mund t’i shpall unë sigurisht dhe nuk jam këtu për t’u marrë gjatë me to karakterizohen nga dy lloj përfaqësuesish: Nga njerëz që kanë turp nga e kaluara e tyre politike dhe kategoria tjetër, nga njerëz që janë viktima apo promotorë interesash afariste dhe private me te cilat përpiqen të manipulojnë institucionet, demokracinë e Partisë Socialiste, si dhe marrëdhëniet politike që nëpërmjet zgjedhjeve ndërtohen me shtetin dhe me institucionet demokratike.”
Nano u shpreh se ai kishte refuzuar të ishte pjesë e listës së kandidatëve të kësaj partie për deputet, siç kishte refuzuar partinë e Edi Ramës, të cilën nuk e konsideron si Partia Socialiste e vërtet.
Për këtë arsye Nano afirmoi nevojën e një transformimi në selinë rozë dhe të gjithë opozitës dhe paralajmëroi një fillim të ri për socialistët pas 29 Qershorit duke thënë se kjo opozitë ka pak gjasa të fitojë zgjedhjet pasi nuk është e aftë të krijojë një mazhorancë qeverisëse./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo