Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Banka e vendeve të Detit të Zi ka shprehur interesin për të marrë pjesë në privatizimin e sektorëve strategjik të ekonomisë shqiptare. Në takimin e nismës së Detit të Zi, kryeministri Fatos Nano ka vlerësuar rolin e kësaj banke, për integrimin jo vetëm ekonomik, por edhe politik të rajonit. Në emër të kabinetit të tij, Nano u angazhua për luftë pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.

Fatos Nano: “Mendjes dhe shpirtit europian të qytetarëve tanë, na duhet t’u ofrojmë mjete bashkëkohore komunikimi me pjesën tjetër të kontinentit. Unë ju sigurojë se Belsi, për mua mbetet një nga instrumentet më të mirë, prandaj Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë me të gjitha kapacitetet e saj për të realizuar ndryshime edhe më cilësore në këtë iniciativë të dobishme për të ardhmen tonë të përbashkët”.

Presidenti i Bankës së Detit të Zi, kërkoi nga pala shqiptare të identifikojë projekte që shpreson të financohen nga banka që ai drejton. Projektet në fushën e energjisë, telekomunikacionit dhe atë të infrastrukturës, që përfshin Shqipërinë dhe fqinjët, do të kenë prioritet në planet e Bankës së Detit të Zi./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame