Në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan të ftuarit prekën një temë aq sa delikate, aq edhe shqetësuese për shoqërinë tonë. Sjelljet e adoleshentëve, bullizimi dhe dhuna ishin qendër e diskutimit. Pavarësisht diskutimeve e mendimeve të ndryshme të secilit, ende nuk është e “prerë me thikë” se kush është përgjegjës për gjithë këtë? Rrjetet sociale, mësuesit apo prindërit?
Ekspertja e arsimit, Ariana Maçi tha se e gjithë përgjegjësia nuk duhet të rëndojë vetëm tek mësuesit apo institucionet. Sipas saj duhet të ketë një bashkëpunim mes të dyja palëve. Sipas saj, prindërit normalisht duhet të kalojnë më shumë kohë me fëmijët dhe të përmbushin misionin e tyre të prindërimit.
“Në morinë e atyre gjërave që janë të domosdoshme është dhe bashkëpunimi i prindit me mësuesin. Është e vërtetë që ai fëmija është në shtëpi dhe aty formohet, formimin e ka aty dhe koha që duhet të rrijë prindi me fëmijën është gjëja më e domosdoshme. Arti i prindërimit dihet që është arti më i mirë në botë, që duhet mësuar dhe e do një sakrificë. Njerëzit duhet ta kuptojnë këtë. Fëmijët kanë nevojë për kohë fizike. Mua më dhemb shpirti kur shikoj që u japin nga një telefon në dorë dhe për vete bëjnë muhabet, por nuk është kjo, sepse ti ke disa detyra që duhen bërë me se s’bën.”
Ariana Maçi tha se fëmijët janë gjithmonë pasqyrë e prindërve, për këtë ajo solli në studio një shembull konkret mes 3 adoleshentë në shkollë.
“Shumica e prindërve nuk janë bashkëpunues. Fëmijët në shkollë janë gjithmonë pasqyrë e prindërve. Nuk më harrohet asnjëherë një rast. Ishin 3 djem në klasën e 9-të që ishin zënë me njëri-tjetrin dhe unë iu bëra nga një pyetje. ‘Ti ke marrë ndonjëherë ndonjë pëllëmbë nga babai, ose nga mami?’. Të 3 ishin fëmijë që ishin qëlluar. Çfarë do të prodhosh, ato do të presësh si rezultat. Unë nuk mund të them kurrë që gjithë përgjegjësinë e ka familja, shkolla ka pjesën e vet. Kurrikulat janë kaq të ngarkuara dhe nuk po na japin ndonjë produkt.”/tvklan.al