“Shtëpia ime, fati im” (Doğduğun Ev Kaderindir), një nga serialet më të bujshëm të vitit 2020 është blerja më e fundit e Tv Klan.
Aktori i famshëm İbrahim Çelikkol që e njihni nga seriali “Dashuri Bardh e Zi” në rolin e Ferhat, apo si Barça tek “Dyshja fantastike”, këtë herë vjen si Mehdi në serialin “Shtëpia ime, fati im”, i cili aktualisht është në transmetim në Turqi me sezonin e dytë.
Me aktoren e njohur Demet Özdemir në rolin e Zejnep, Engin Hepileri, Zuhal Gencer, Senan Kara e shumë të tjerë do të jetë suksesi i radhës bazuar në një histori të vërtetë.
Zejnep ka lindur në një familje të varfër dhe jeta nuk i ka dhënë asaj shumë mundësi. Babai i saj është i alkoolizuar, e ëma siguron bukën e gojës si pastruese dhe vëllai i vdes për shkak të pamundësisë për një trajtim mjekësor të specializuar. Fati i saj ndryshon kur familja në të cilën mamaja punonte si pastruese, vendos të adoptojë Zejnepin. Prindërit e saj pranojnë me shpresën se do i mundësojnë vajzës së tyre një jetë më të mirë. Ajo do të edukohet, rritet me dashuri dhe e rrethuar nga gjëra të bukura, por gjatë gjithë kohës ndihet se nuk i përket asaj jete. Zejnep, vajza e varfër bëhet një grua e zgjuar, e bukur dhe e edukuar fejohet me pahir me një burrë nga shtresa e lartë e shoqërisë. Por kjo përrallë merr fund tronditës, kur nëna e saj shfaqet duke kërkuar të rimarrë kontrollin e jetës së vajzës së saj dhe ta rikthejë atë në shtëpinë ku ka lindur. Si dhe me takimin e papritur me mekanik Mehdiun në lagjen e saj te vjetër pas 12 vjetësh… Një histori dashurie e pamundur në dukje, por e pasur me çdo fjalë dashurie që përmban fjalori!
Së shpejti premierë ekskluzive vetëm në Tv Klan, “Shtëpia ime, fati im”./tvklan.al