Bllokimi me traktorë i rrugëve dhe i pikëkalimeve kufitare nga fermerët grekë po dëmton rëndë transportet ndërkombëtare.

Në pikëkalimin kufitar Promahona me Bullgarinë është krijuar një varg i gjatë prej kilometrash të tëra nga kamionët e stacionuar në të dyja anët e kufirit.

Mediat e huaja e përshkruajnë situatën si kaotike ndërkohë që greva vazhdon që prej ditës së hënë.

Edhe ato mjete transporti që lejohen të kalojnë herë pas here i presin bllokime të tjera në rrugën Egnatia, përmes së cilës bëhet pjesa më e madhe e transportit lindje-perëndim.

Të njëjtat probleme edhe në pikëkalimet kufitare të Kapshticës me Shqipërinë dhe Niqi me Maqedoninë, që deri tani mbyllen dhe hapen përkohësisht.

Kryeministri bullgar, Borisov, kërkoi ndërhyrjen e Komisionit Evropian duke bërë fjalë për 3 milion euro dëme në ditë për Bullgarinë dhe i telefonoi edhe homologut të tij grek Papandreu.

Fermerët kërkojnë akordim të subvencioneve, ngrirjen e borxheve dhe uljen e kostos së prodhimit duke shtuar nga ana tjetër ditë për ditë pikët e bllokuara që deri më sot kanë arritur në 25./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle