Partia e qendrës së djathtë bullgare GERB fitoi zgjedhjet parlamentare, por tanimë do të duhet të kërkojë një partner koalicioni për të formuar një qeveri.
Sipas rezultateve paraprake GERB fitoi 26.08% të votave. Partia reformiste Ne Vazhdojmë Ndryshimin (PP) doli e dyta me 14.76%, ndërsa partia ultra-nacionaliste Rilindja doli e treta me 13.8%. Sipas një sondazhi GERB ka gjasa të marrë rreth 74 vende në parlamentin me 240 vende, ndërsa Partia reformiste Ne Vazhdojmë Ndryshimin 42 vende dhe Revival 36 vende respektivisht.
Votimi i së dielës u thirr pasi partitë në zgjedhjet e Qershorit nuk arritën të formonin një koalicion. Ashtu sikurse ishte parashikuar pjesmarrja ishte tepër e ulët me gati 38% duke treguar zhgënjimin e popullit tek qeveria.
Kreu i GERB Bojko Borisov falenderoi votuesit për mbështetjen e tyre dhe tha se partia e tij do të formonte një qeveri të re. “Ne do të punojmë së bashku me të gjithë përveç Revival,” tha ai. Bullgaria drejtohet nga qeveri jetëshkurtër që nga viti 2020, kur protestat kundër korrupsionit ndihmuan për t’i dhënë fund një koalicioni të udhëhequr nga partia GERB.
Vendi rrezikon të humbasë miliarda Euro në fondet e rimëkëmbjes së BE-së për shkak të mungesës së reformave. Planet për t’u bashkuar me eurozonën tashmë janë shtyrë dy herë për shkak të inflacionit. Aderimi aktualisht është planifikuar për 25 Janar 2025.
Ndërkaq në Lituani ku u mbajt raundi i dytë Social Demokratët e Lituanisë fituan zgjedhjet parlamentare. Sipas shifrave zyrtare të qeverisë, partia e qendrës së majtë kryeson me 52 vende në asamblenë prej 141 anëtarësh me 99% të votave të numëruara. Ndërkohë, partia konservatore në pushtet Bashkimi Atdheu doli e dyta me 28 vende.
Klan News