Besimtarët ortodoksë kremtuan në mesnatë ringjalljen e Krishtit.

Në kishën ortodokse në kryeqytet qindra prej tyre morën pjesë në ceremoninë e posaçme të drejtuar nga kryepeshkopi Janullatos.

Gjatë ceremonisë u shpërnda flaka e shenjtë, e cila përmes qindra qirinjve të ndezur u përhap në familjet e besimtarëve.

Për besimtarët Krishti ringjallet e vjen mes njerëzve duke u përcjell shpresë për të nesërmen e forcën e besimit.

“Kjo natë për mua është natë shumë e veçantë, shumë e bukur. Jam shumë e gëzuar. Krishti u ngjall. Është natë e Pashkëve. I uroj familjes sime të gjithë të mirat.

“Kjo natë për mua do të thotë shumë. Besoj se për të gjithë shqiptarët do të thotë shumë. Mendoj që kjo festë bashkoi të gjithë shqiptarët. Gëzuar Pashkët të gjithëve”.

Kulmi i mesazhit të ringjalljes së Krishtit ashtu siç përmendi kryepeshkopi Janullatos është çlirimi nga frika e vdekjes.

Pashkë do të thotë flijim, dhe festimet për Pashkët Ortodokse nisën me procesionin e të premtes së zezë, që njihet si dita e kryqëzimit të Krishtit./tvklan.al