U mbaj këtë të enjte mesha e lamtumirës për kryepeshkopin Anastas Janullatos. Kjo ceremoni zgjati mbi 2 orë e 30 minuta dhe në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u mblodhën me mijëra besimtarë ortodoksë.
Siç e kemi përmendur që prej fillimit në ceremoninë mortore ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kryetari i opozitës, Sali Berisha, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse në botë.
Pas përfundimit të liturgjisë hyjnore mbajtën një fjalim edhe dy kryeministrat e Shqipërisë e Greqisë, Edi Rama e Kyriakos Mitsotakis. Ata vlerësuan rolin e kryepeshkopit për ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri.
Emocionuese ishte edhe fjala e mbesës së Janullatos, Roksani, e cila u shpreh se Kryepeshkopit Anastas, Shqipëria iu bë një atdhe i dytë. Pas përfundimit të liturgjisë hyjnore dhe shërbesës së varrimit, trupi i pajetë i Kryepeshkopit iu drejtua një kripte të veçantë në katedrale, duke i plotësuar kështu edhe një prej amaneteve të lëna prej tij për t’u prehur përjetësisht në vendin tonë.
Tvklan.al ka qenë në këtë raportim live që prej nisjes së ceremonisë mortore. Nëse do të shfletoni më poshtë, do të gjeni të gjitha zhvillimet nga kjo ngjarje që siç thamë, mblodhi në Tiranë personalitete të shumta.
Patriarku Bartolomeu: Kryepeshkopi Anastas, i pazëvendësueshëm! Humbja e tij një tronditje e thellë për kishën
Në ceremoninë mortore për Kryepeshkopin Anastas Janullatos kanë mbajtur fjalën e tyre disa personalitete të rëndësishme. Mes tyre edhe Patriarku Ekumenik Bartolomeu. Ai e konsideron ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë një humbje të madhe.
“Shtylla e madhe e Kishës Ortodokse në Shqipëri ka rënë! Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka ndërruar jetë pranë Zotit! Edhe pse mosha e tij e madhe dhe përkeqësimi i shëndetit na kishin përgatitur për fundin e tij të afërt në këtë jetë tokësore, humbja e një Ati shpirtëror dhe udhëheqësi të tillë kishtar shkakton një dhimbje të thellë njerëzore! Anastasi ishte shërbëtori i mrekullisë së ringjalljes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri, pas natës së errët dhe të zymtë të ateizmit të organizuar dhe pas persekutimit të madh që regjimi ateist i bëri të krishterëve”, tha Bartolomeu… Lexo më shumë
“Janullatos erdhi si një prift nga Greqia, sot ndahet nga ne si Anastasi i Shqipërisë”
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në liturgjinë hyjnore dhe shërbesën e varrimit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Kreu i qeverisë theksoi se 33 vite më parë Anastas Janullatos erdhi në vendin tonë si një prift nga Greqia e sot ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë.
“Sot më takon të kujtoj në nderin e tij diçka që shumë e kanë parë apo e kanë ndjerë dhe shumë të tjerë s’e kanë kuptuar apo s’kanë dashur ta besojnë. Por që në fund të fundit ai vetë e dëshmoi në 33 vjet dhe e dëshmon dhe sot, me trupin që la këtu, në tokën e Shqipërisë, i cili me kërkesën e tij do varroset në këtë katedrale dhe siç ngjallje kishte kuptim emri i tij. Në këtë ditë të mbylljes së ciklit të një jete kushtuar ngjalljes duhet thënë se në përmasën e vetme që atij i interesonte, atë të fesë, Anastasi erdhi mes nesh 33 vjet më parë si një prift nga Greqia dhe pas 33 vjetësh më pas ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë”, tha Rama… Lexo më shumë
Rama: Janullatos ringriti Kishën Autoqefale! Ardhja e Mitsotakis, mesazh pandashmërie mes popujve tanë
Nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, kryeministri Edi Rama rreshtoi fjalët më të bukura e të merituara për figurën dhe veprën e Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Përgjatë 33 viteve në vendin tonë, Rama thotë se ai arriti të ringrijë Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe të përcillte mesazhe bashkimi e paqeje.
“Fort të lumë janë tani ata që flenë në Zotin, po thotë Shpirti i Shenjtë le të pushojnë nga punët e shumta sepse veprat e tyre flasin për ta, thuhet në zbulesën e Apokalipsit. Shenjtëria juaj, fort të nderuar hierarkë të Sinotit të Shenjtë të Kishës, fort i nderuar Metropolit Joani, i nderuar kryeministër i Republikës së Greqisë, i mirëseardhur Kyriakos Mitsotakis, komuniteti ortodoks është në zi, kryepeshkopi Anastas e përfundoi detyrën e tij në shërbim të shpresëtarëve ortodoksë...Lexo më shumë
Mitsotakis: Kryepeshkopi Anastas ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve
Në liturgjinë e shenjtë dhe në shërbesën e varrimit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, mbajti një fjalë edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ai u shpreh se Kryepeshkopi i ndjerë ishte një personalitet i veçantë.
Sipas tij nuk është rastësi që Kryepeshkopin Anastas e vajtojnë si grekët dhe shqiptarët. Për Mitsotakis ai ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve.
“”Gurët që na hedhin, ata që luftojnë kundër veprës sonë,” thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë “ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla.” E thoshte dhe e nënkuptonte. Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet “diplomati i dashurisë.” Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur”, tha Mitsotakis… Lexo më shumë
Mbesa e Janullatos: Shqipëria u bë atdheu i dytë i tij
Mbesa e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos, Roksani tha se Shqipëria u bë për Kryepeshkopin Anastas, atdheu i tij i dytë.
“Vëllezërit e mi, në emër të familje sonë do dëshiroja t’ju falënderoja për dashurinë që keni treguar për xhaxhain tonë gjatë gjithë këtyre viteve. Ju e dini sa shumë e deshi popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vjet, popullin e Shqipërisë, të vendit që u bë atdheu i tij i dytë. Vëllezërit e mi, ne të krishterët orotodoksë e dimë se perëndia është dashuri dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në perëndi dhe perëndia qëndron në të. Kjo ishte jeta e Anastasit: Dashuri, ofrim, drejtësi, vërtetësi, përulësi, përpjekje, guxim, shpresë. Le të përpiqemi të ndjekim shembullin e tij i cili pati dashuri për perëndinë e dashurisë. Dhe le të sjellim gjithmonë ndërmend që dashuria nuk bën dallim ndërmjet racave, kombeve dhe shteteve. Krishti u ngjall vëllezërit e mi”, tha ajo.
Imzot Joani: Vepra e Kryepeshkopit Anastas në rindërtimin e Kishës Ortodokse, madhështore dhe unike
Një fjalë në ceremoninë mortore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos e mbajti Mbikëqyrësi i Fronit Kryepiskopal, Imzot Joani. Ai vlerësoi veprën e kryepeshkopit të ndjerë në rindërtimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri.
“Vepra e Kryepiskopit Anastas në rindërtimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri është madhështore dhe unike. Nën kujdesin dhe përpjekjet e tij u ndërtua dhe restaurua infrastruktura kishtare, u hapën kopshte, shkolla dhe institute profesionale, si dhe u mbështet arsimi publik”, tha ai… Lexo më shumë
Ceremonia për Kryepeshkopin “bashkon” Ramën e Berishën
Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas Janullatos, ka bërë “bashkë” kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Sali Berisha. Ata bashkë me figura të tjera politike po marrin pjesë në ceremoninë mortore të lamtumirës për Kryepeshkopin Anastas Janullatos, në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Në një moment Rama e Berisha pozicionohen pranë njëri-tjetrit, por duke ‘shmangur shikimet’ e disi të ‘ngrysur’.
Ceremonia mortore për Kryepeshkopin Anastas
I jepet lamtumira Kryepeshkopit Anastas Janullatos
Sot në katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, u zhvillua ceremonia mortore e kryepeshkopit Anastas Janullatos. Atij iu dha lamtumira e fundit dhe u varros në një kriptë të veçantë në katedrale, duke i plotësuar kështu një prej amaneteve të tij për t’u prehur në vendin tonë.