Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Mesnata e mbrëmshme ishte një ditë e shënuar për besimtarët e krishterë, si ortodoksë dhe ata katolikë. Rreth 2000 vjet më parë Krishti u ngjall, duke u shfaqur para dishepujve dhe njerëzve për t’i treguar atyre mesazhin e shpresës. Ceremonitë e mbrëmshme, ku me qindra e mijëra njerëz, kanë marrë pjesë në meshat e zhvilluara në kishën “Zemra e Krishtit” dhe në kishën e “Evangjilizmoit”, vazhduan edhe gjatë ditës së sotme, ku besimtarët e shumtë kanë ndezur qirinj dhe janë lutur në këtë ditë të shpresës së madhe.

Me këtë rast erdhën për të uruar në kryepeshkopatën e kishës ortodokse, si dhe në selinë e kishës katolike në Tiranë, personalitetet më të larta të shtetit. Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani, Kryeministri Meta, kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, përfaqësues të PS, kryetari i PD Sali Berisha etj.

Presidenti Rexhep Mejdani:- “Mesazhin më të mirë për festat e ka dhënë Imzot Rrok Mirdita”.

Kryeministri Ilir Meta:- “Dëshiroj të urojë të gjithë besimtarët katolikë dhe të gjithë qytetarët, gëzuar Pashkët dhe mot më mirë”.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Unë shfrytëzoj këtë rast për të uruar përzemërsisht të gjithë besimtarët shqiptarë të krishterë, në këtë ditë të martirizimit të Krishtit, të rilindjes, të shpresës. Shpreh bindjen se kjo ditë e rilindjes, sjell mesazhin e madh të bashkimit të të gjitha forcave”./tvklan.al