Është mbyllur dje në mbrëmje festivali i tretë mbarëkombëtar i aktrimit “Apolloni 2004” me triumfin e Luiza Xhuvanit dhe Ndriçim Xhepës. Skena e teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit nga data 25 deri në 30 maj ka qenë arena ku 8 trupat teatrale të përzgjedhura kanë shfaqur pjesët më të mira të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Ky eveniment kulturor ishte nga më të rëndësishmit në planin mbarëkombëtar pasi këtu ishin të pranishëm, jo vetëm hapësirat shqiptare, por edhe jashtë saj siç ishte trupa e teatrit të Shkupit dhe ajo e Prishtinës. Në fund të tij juria e festivalit e përbërë nga Birçe Hasko, Petrit Malaj dhe Mihallaq Luarasi ka shpallur dhe çmimet për më të mirët që morën pjesë në të. Çmimi i karrierës i është dhënë aktorit të njohur të skenës dhe ekranit Sulejman Pitarka, ndërsa aktori Aleko Prodani ka marrë çmimin e dytë për karakterin më të mirë në komedinë “Hajdutët ikën në drejtim të paditur” të Dhimitër Psahas, ndërsa çmimi i parë ëshhtë ndarë përgjysëm midis aktorëve të mirënjohur Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa. /tvklan.al