Data 1 Korrik 2024 shënon një ditë të hidhur për artin shqiptar, me humbjen e kolosit Ismail Kadare. Duke e njohur personalisht e përmes veprave të tij, gazetari Blendi Fevziu foli për shkrimtarin sot te “Rudina”.
Sipas gazetarit, letërsia moderne shqiptare fillon me Kadarenë.
“Është një nga bashkëbiseduesit më të mirë që kam njohur në jetën time dhe me diapazon të jashtëzakonshëm kulturor. Stili im, nëse lexoj disa nga shkrimet e mia të gjimnazit apo fakultetit janë kopje të Kadaresë. Fjalët që përdorja vinin nga ndikimi i tij. I gjithë brezi im është ndikuar, përveçse letrar ai shihej edhe si një pol lirie në Shqipërinë e komunizmit. Letërsia moderne shqiptare fillon me Kadarenë. Kemi pasur tentativa të Mitrush Kutelit, edhe Ernest Koliqit, Lasgush Poradecit, por letërsia reale moderne, në nivel evropian fillon me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” dhe një nga veprat monumentale. “Kronikë në gur”, që është një nga romanet më të jashtëzakonshme, edhe “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Viti i mbrapshtë”. Të treja i kanë qëndruar kohës, i kam lexuar vonë për të kuptuar realisht ca ndryshimi. Kisha të njëjtën shije estetike, u impresionova sa njohje kishte të pushtetit.”
Më tej, thekson se shkrimtari i ndjerë është padyshim shqiptari më i njohur në Perëndim.
”Është shqiptari më i njohur në Perëndim, edhe më shumë se personazhet politike. Po ta krahasosh me Nënë Terezën… por ajo ka qenë shqiptare me origjinë. Por si produkt tipik shqiptar, ishte shkrimtari më i njohur, kandidat për Nobel në më shumë se 15 raste që prej vitit 1980. Për 40 vjet, ka qenë kandidat, është përkthyer në 45 gjuhë të botës. Është anëtar i Akademisë Franceze. Ka marrë çdo çmim të rëndësishëm botëror. Flasim për shqiptar të lindur, shkolluar dhe me aktivitet në Shqipëri.”
/tvklan.al