Kryeministri, Edi Rama ka marrë pjesë në përurimin e “Vila 31 x Art Explora” si rezidencë artistike. 

Gjatë fjalës së tij, teksa në sallë u drejtua pyetje lidhur me faktin nëse do të ketë hapësirë të dedikuar për shkrimtarët, kryeministri Rama u shpreh se kjo Vilë do të jetë një shtëpi për artistët. Sipas Ramës edhe pse do të ftohen shkrimtarë, kjo mbetet shtëpi për artistët.

Kryeministri theksoi se lidhur me shkrimtarët po punohet me projektin për realizimin e shtëpisë të dedikuar për ta në Gjirokastër, qytetin e të madhit Ismail Kadare.

Edi Rama: Unë mendoj që në rastin konkret kjo nuk është një shtëpi shkrimtarësh, por artistësh, pavarësisht se mund të ftojmë dhe shkrimtarë. Ne po punojmë një tjetër projekt që do të jetë një shtëpi shkrimtarësh që ju keni parë dhe keni lexuar për ato. Në Gjirokastër në shtëpinë e pritjes ku shkonte edhe i zoti i asaj shtëpie do të bëjmë një shtëpi që do të jetë për shkrimtarët duke qenë se është edhe qyteti i Ismail Kadares dhe duke qenë se ai nuk është më, por është një nga brandet më të rëndësishme të Shqipërisë, do të jetë Shtëpia Kadare që do të presë shkrimtarët. Jemi duke punuar bashkë me një projekt tjetër të rrugëve të personazheve të Ismail Kadaresë në Gjirokastër. Është projekt nuk kemi akoma përfundimisht aprovuar se si do të jetë, por do ta çojmë deri në fund dhe pastaj nëse do të bindemi do ta bëjmë, por besoj që nuk kemi arsye që të mos kemi një shtëpi shkrimtarësh në Gjirokastër.

Ndërsa drejtoresha artistike e “Art Explora”, Blanche de Lestrange u shpreh se përmes këtij projekti do të krijohet mundësia për lidhjen ndërmjet fushave të ndryshme. De Lestrange u shpreh se lidhja me shkrimtarët dhe shkrimin do të gjendet gjithandej.

Blanche de Lestrange, drejtoresha artistike e “Art Explora”: Kjo do të jetë pjesë e artit pamor dhe natyrisht që ne do të kemi mundësinë që të krijojmë edhe lidhjet ndërmjet fushave të ndryshme të artit. Është e hapur për të gjithë në mënyrë specifike do të thosha që është ajo që ne kërkojmëe që të krijojmë këtë dialog. Do të ketë një bibliotekë ideja e lidhjes me shkrimtarët, me shtëpinë botuese, Ne do të krijojmë një hapësirë e cila do të jetë e përkushtuar me arkivat, librat dhe momente kur do të ketë bashkëbisedime dhe shkrimtarë që do të shkruajnë për historinë ose ndoshta ne do të kërkojmë që të ketë një historian që të shkruajë edhe një tekst për këtë Vilë. Lidhje me shkrimtarët dhe shkrimin do të gjendet gjithandej, por edhe për mënyrën se si do ti krijojmë programet.

/tvklan.al