Muzeu që mban emrin e shkrimtarit Ismail Kadare në Gjirokastër hapi dyert edhe këtë 28 Janar. Priti vizitorë të ndryshëm në 89-vjetorin e lindjes së gjeniut të letrave shqipe.

Në shtëpinë ku ai u rrit u zhvilluan disa aktivitete kryesisht nga fëmijë të shkollave të qytetit. Të gjithë në Gjirokastër e kujtojnë shkrimtarin i cili u nda nga jeta në Korrik të vitit të shkuar.

“Ky 28 Janar është ndryshe nga të tjerat sepse shkrimtari nuk është më mes nesh, por ai ka lënë pas një trashëgimi të madhe letrare ku të gjithë duhet ta ndjejmë, sidomos ne gjirokastritët si detyrim të lexojmë veprën e Ismail Kadaresë”, u shpreh Bruno Pjetri.

Interesi nga vizitorët për muzeun Kadare ka qenë i lartë edhe gjatë muajit Janar.

“Këtu vijnë turistë që thonë e kemi njohur Gjirokastrën prej Ismail Kadaresë. Ai i ka dhënë shumë këtij qyteti, kanë kuriozitet për Ismail Kadarenë, janë dashamirës të letërsisë, dhe sigurisht që ne i mirëpresim, këtu gjejnë ambientin e duhur, qoftë edhe për të lexuar dy deri në tre rreshta të veprës së shkrimtarit”, tha Pjetri.

Gjatë vitit 2024 muzeu Kadare është vizituar nga rreth 10 mijë vizitorë vendas e të huaj.

Klan News