Sheba Medical Center, spitali izraelit i rankuar i 9-ti në botë në listën e spitaleve më të mirë do të jetë nga sot për 5 vitet e ardhshme, partner i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me vëmendjen e veçantë në Spitalin Onkologjik.
“Ky nuk është një partneritet formal, nuk është as një shkëmbim rastësor ose sporadik eksperience, por është një aleancë strategjike, e bazuar në mirëkuptimin se krah për krah me lidershipin e spitalit Sheba, ne do të arrijmë të krijojmë një sinergji që do ta bëjë në këtë periudhë disavjeçare QSUT-në 2030, një shëmbëlltyrë ekselence për Shqipërinë dhe të gjithë rajonin”, u shpreh Rama.
Partneriteti që Rama thotë se u arrit falë ndërmjetësimit të Presidentit të Izraelit, Isak Herzog, parashikon trajnime të vazhdueshme për mjekët e Onkologjikut, por më e rëndësishmja është trajtimi i rasteve të vështira të fëmijëve të prekur nga sëmundje tumorale në Tel Aviv.
“Ndihma strategjike për burimet njerëzore të spitalit, për mjekët, për administratorët, për të gjitha nivelet e punës, qoftë për vizita pune afatshkurtra në Izrael, qoftë edhe për vizita-qëndrime afatgjata njëvjeçare për mjekë të caktuar që do të përzgjidhen, e përsëris, që do të përzgjidhen se kjo është shumë e rëndësishme, nga miqtë tanë, jo nga miqtë e miqve tuaj. Dhe nga ana tjetër, ndihma direkte, konkrete për pacientë të caktuar, në mënyrë të posaçme për një angazhim të spitalit Sheba për të trajtuar rastet e rënda për fëmijët, rastet që kërkojnë realisht një ndërhyrje të super specializuar”, tha Rama.
Rama thotë se nga konsulta që ka bërë me drejtuesit e “Sheba Medical Center”, vlerësohet niveli i mjekëve shqiptarë edhe pse në nisje të takimit pati një cilësim shumë të ashpër për mjekët e Onkologjikut që po hetohen nga SPAK-u për korrupsion me pacientët.
“Një grup kriminelësh në Spitalin Onkologjik”, deklaroi Kryeministri.
Si Kryeministri, ashtu dhe Ministrja e Shëndetësisë folën dhe për situatën me barnat dhe problemet me lidhjen e kontratave me kompanitë e mëdha farmaceutike, por marrëveshja me “Sheba-n”, thonë ata, do të ndihmojë sipas tyre dhe në këtë drejtim.
“Problemi me distributorët e mëdhenj mbetet një problem dhe partneriteti me spitalin në Izrael do të na lehtësojë shumë sepse ne mund të marrim pjesë bashkërisht në procese prokurimesh dhe në procese blerjesh, që ne duke qenë një partner i vogël edhe nga pikëpamja sasiore, do të kemi një përfitim shumë më të madh dhe do të mund të kursejmë shumë të ardhura dhe patjetër do të sigurojmë një transparencë totale të të gjithë procedurave”, u shpreh Rama.
Synimi sipas Kryeministrit është që në 5 vitet e ardhshme, QSUT të kthehet në një qendër ekselence teknologjike dhe garancinë se kjo ambicie është realiste e ka marrë nga specialistët izraelitë. Asistenca kryesore që do të japin këta të fundit do të përqendrohet tek mirëmenaxhimi i Qendrës Spitalore dhe Spitalit Onkologjik në mënyrë të veçantë.
Tv Klan