Në Tiranë vetëm 1% e të infektuarve aktive kërkojnë trajtim spitalor
Shtrimet në spital vijojnë të mbeten në shifra të qëndrueshme, por shqetësim mbetet grupmosha e re e cila kërkon trajtim spitalor. Sipas mjekëve muajt e fundit vihet re një rritje numrit të të rinjve që po shtrohen në spitalet për shkak të komplikacioneve nga Covid.
Qarku i fierit ka përqindjen më të lartë të të shtruarve krahasuar me numrin e të infektuarve aktivë. 3.8 % e të prekurve në Qarkun e Fierit kanë nevojë për trajtim spitalor, e ndjekur nga Durrësi me 3.5%, Berati dhe Gjirokastra me 2.7% dhe Shkodra me 2.6%.
Në Tiranë, qarku që ka numrin më të lartë të të infektuarve aktivë me mbi 2 mijë raste, vetëm 1% e tyre kanë nevojë për trajtim spitalor.
Sipas autoriteteve, në Tiranë vihet re një rritje e mbulesës vaksinale, po ashtu dhe shkalla e imunizimit nga Covid është e lartë për shkak të kalimit të infeksionit në rrugë natyrale.
Por shfaqja e mutacionit Omicron, i cili po rrit kurbën e të infektuarve në Europë ka vendosur në alarm edhe autoritetet në Shqipëri. Për këtë arsye mjekët rekomandojnë marrjen e vaksinës antiCovid për të shmangur format e rënda të Covid dhe fatalitetet.
Tv Klan