Rreth 200 ushtarë angazhohen në betejën antiCovid
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka vizituar qytetin e Prilepit, i cili me Shkupin dhe Tetovën konsiderohen si qytete më të prekura nga koronavirusi. Prilepi ka mbi 1000 raste aktive me Covid-19, kurse autoritetet lokale kishin kërkuar karantinimin e qytetit. Ministri Filipçe, tha se nuk ka nevojë për masa shtrënguese duke bërë thirrje që qytetarët të shmangin festat familjare, por edhe tubimet nëpër qendrat tregtare.
“Vijnë festat dhe t’u shmangemi tubimeve familjare. Të zbatohen rekomandimet dhe të mos dilet pa nevojë nga shtëpia”.
Me shpalljen e gjendjes së krizës, më në fund, pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut, kanë filluar të kyçen në sigurimin e spitaleve. Njoftohet për rreth 200 ushtarë që janë shpërndarë nëpër institucione shëndetësore.
“Në pjesën më të madhe të qendrave që pranojnë pacientë me Covid, kemi përfaqësues të ushtrisë, në pajtueshmëri me planin që e bën armata së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Të hënën në mënyrë shtesë, 12 specialistë shtesë dhe 20 motra medicinale, do të kyçen në spitalet në Shkup, si mbështetje për personelin civil shëndetësorë”, tha Radmila Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.
Në Maqedoninë e Veriut, përkundër paralajmërimeve të autoriteteve shëndetësore se situata me Covid-19 po stabilizohet, shifrat e të prekurve dhe viktimave flasin ndryshe.
Në raportin më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, mbrëmë vonë, u njoftua për 1093 raste të reja dhe 28 viktima, duke e çuar numrin total të të diagnostifikuarve në afro 60 mijë, kurse të viktimave në 1658.
Tv Klan