Prej dy vitesh, pandemia e koronavirusit u bë realitet për miliona njerëz në Europë, dhe tashmë liderët kryesorë të kontinentit mendojnë se duhet ecur përpara.

Teksa shumica e shteteve kanë hequr masat kufizuese, shtrimet në spitale kanë filluar të rriten në mënyrë të ngadaltë. Megjithatë, kjo po përbën një shqetësim, shkruan CNN.

Rastet me koronavirus janë rritur në mënyrë të ndjeshme në dy javët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar, pasi kryeministri Boris Johnson vendosi për heqjen e masave kufizuese. Infektimet u rritën me 48% në krahasim me një javë më parë dhe hospitalizimet u rritën me 17%.

Ndërkohë, rastet ditore janë në rritje në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian. Në Holandë pati një rritje të infektimeve me 48 %, teksa ditën e sotme në Gjermani u raportua se incidenca e Covid-19 ishte 1.585.4 raste për 100.000 banorë.

Rritja e rasteve ka marrë vëmendjen edhe të ekspertëve amerikanë të shëndetësisë, të cilët u shprehën se kjo situatë epidemiologjike në Europë, mund të jetë edhe në Shtetet e Bashkuara./tvklan.al