Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit Bashkim Fino deklaron të hapur procesin e legalizimit të zonave informale pas miratimit të ligjit në parlament. Fino kërkon nga banorët dhe organet vendore të nisin procedurat për legalizimin që sipas ligjit do të kryeht brenda tre vjetësh.

Bashkim Fino: “Të gjithë komunitet e interesuara duhet të fillojnë të bëjnë deklarimin e ndërtimeve të tyre pranë njësive vendore. Kjo fazë fillestare e zbatimit të ligjit, më duhet të them, është nga më të rëndësishmet pasi do të shërbejë si guri themelor mbi të cilin do të jemi në gjendje të programojmë më tej hapat e mëtejshëm. Njësitë vendore, pra komunat dhe bashkitë, kudo qofshin, që kanë probleme me zonat informale, duhet të kuptojnë përgjegjësinë e jashtëzakonshme që u del përpara komuniteteve të tyre. Ato duhet menjëherë të fillojnë nga puna për regjistrimin e këtyre zonave informale, për hedhjen e bazave për studime urbanistike që do të bëhen në to e kështu me radhë.”

Ligji i ri i legalizimit parashikon disa skema për pagesën e tokës si me këste dhe me kredi. Një masë e tillë lehtëson faturën financiare për familjet me të ardhura të ulëta. Ndërkohë që implementimi i ligjit dhe zhvillimi i infrastrukturës së zonës do të realizohet përmes një fature financiare që pritet të programohet në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Artan Lame: “Është e vërtetë që mbetet një pjesë e faturës e pambuluar nga të ardhurat që do të mblidhen dhe është normale, sepse nuk mund të themi që ne tani 100% të parave që do të realizohen duhet të mbulojnë 100% të nevojave që ka infrastruktura, por kjo pastaj është e domosdoshme ndërhyrja e shtetit për mbulimin e kësaj pjese të faturës.”

Ministri Fino i konsideroi absurde dhe të pamoralshme votat kundër ligjit të opozitës, pasi vetë deputetët e opozitës, sipas tij i kanë shtuar amendamente draftit të qerverisë. /tvklan.al