Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha këtë të premte për mediat se “nuk duhet të bëhet show me vullnetin e demokratëve”. Sipas Bardhit, për mbledhjen e Kuvendit nuk është mbledhur as 1/8 e votave të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar.
“Sot më së shumti është fyer edhe është tallur edhe me atë pakicë që kanë besuar te lëvizja e zotit Berisha. Edhe sikur të jetë arritur 1/ 8 apo 1/10 e anëtarëve të Kuvendit, siç janë të dhënat tona, vullneti i tyre nuk mbyllet dot në kasafortë dhe nuk bëhet show me vullnetin e tyre. Edhe zëri i pakicës do duhet të dëgjohet. Edhe nëse 1/10 ka nënshkruar për Kuvendin, zëri i tyre do duhet të dëgjohet. Dua të ripërsëris thirrjen time si sekretar që nxirrini firmat nga kasaforta, mos bëni show me gazetarë që nuk janë në gjendje që të verifikojnë jo vetëm nëse janë ose jo nënshkruesit anëtarë të Kuvendit Kombëtar, por nuk kanë si të dinë janë apo nuk jonë demokratë, janë apo jo gjallë apo brenda Shqipërisë. Respektoni institucionet e PD dhe jepuni mundësi demokratëve të shprehin vullnetin e tyre të lirë. Ftesa ime është të respektoni Statutin”, tha Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm u shpreh se rregullat janë të qarta në Partinë Demokratike. Sipas tij, kërkesa për të mbledhur Kuvendin duhet të dorëzohet në zyrën e protokollit.
“Kërkesa do duhet të dorëzohet në protokollin e PD. Do duhet të mblidhen institucionet për të shqyrtuar kërkesën dhe do duhet të dëgjohet zëri i demokratëve qoftë ky zëri i pakicës së pakicës”, tha Bardhi. Për të mbështetur mendimin e tij solli edhe një deklaratë të Flamur Nokës, që sipas Bardhi, mbështet deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm për të respektuar statutin.
“Partia nuk është as kasafortë, as bunker. Ju lutem, depozitoni kërkesën në protokollin e PD, jepuni mundësinë institucioneve dhe të mbledhim Kuvendin. Nëse dikush ka vendosur të veprojë si celulë apo ilegalitet, është i lirë të veprojë, por jo në emër të demokratëve dhe jo në emër të PD”, tha Gazment Bardhi.
Sipas Bardhi në Partinë Demokratike nuk duhet të ketë palë.
“Nuk do duhet të ketë palë në PD. PD është një, është e demokratëve, është pronë e demokratëve. Cilido që për një interes momental personal, apo hall personal synon të përçajë PD, synon të krijojë palë në PD, nuk i bën shërbim demokratëve, por regjimit të Ramës”, tha Bardhi./tvklan.al