Besimtarë të shumtë islamë falën namazin e Bajramit mëngjesin e kësaj të marte. Ceremonia kryesore në Prishtinë u zhvillua në xhaminë e madhe Sulltan Mehmet Fatih. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka bërë thirrje për unitet.

“Ftoj për një unitet më të madh politik kur është në pikëpyetje ardhmëria e vendit tonë, për një mirëkuptim dhe besim më të madh ndërfetar me të tjerët, të cilat janë pasuritë më të çmuara të kombit dhe fesë tonë”.

Bashkësinë islame e vizituan krerët e shtetit, politikanë dhe përfaqësues të feve të tjera.

“Jemi këtu që të urojmë bashkësinë islame, gjithë njerëzit për agjërimin e tyre, por mbi të gjitha për ditën e Fiter Bajramit”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

“Detyra e institucioneve është me mundësuar lirinë e besimit, që sipas të drejtës që u jep kushtetuta me e zbatuar besimin e tyre”, u shpreh Kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha: “Pas këtij muaji të shenjtë të Ramazanit, muajit të sakrificës, solidaritetit, që ne si komb të kujtojmë të kaluarën tonë por më shumë të mendojmë për të ardhmen, të mendojmë në mënyrë kritike për njëri-tjetrin por mos e urrejmë njëri tjetrin”.

Festa e Bajramit vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët agjërojnë në shenjë sakrifice dhe falenderimi.

Tv Klan