Asaf Shehu fiton konkursin për drejtor burgu, por nuk e emërojnë prej 10 muajsh

Problematika e radhës e trajtuar në emisionin “Stop” lidhet me Ministrinë e Drejtësisë dhe kandidatin për drejtor burgu Asaf Shehu, i cili ka qenë në këtë pozicion në vitet 1992-2006, në burgun e Sigurisë së Lartë në Tepelenë.

“Që nga Tetori i vitit ’92 deri në 24 Korrik të ’95 gjatë kësaj periudhe mora specializim në Itali, kryesisht për burgje të sigurisë së lartë. Në ’97, unë kam vajtur tek burgu i Tepelenës, jo vetëm sepse kryeministri i atëhershëm Bashkim Fino dhe ish-Presidenti Berisha, të dy nxorrën një njoftim të përbashkët, gati urdhër që kush ka qenë drejtues të shkojë pranë institucioneve për të mos dëmtuar. E ndjeva obligim që të shkoja. Kam shkuar herën e dytë, u emërova drejtor, në 2002-shin në burgun e Tepelenës deri më 14 Dhjetor të 2005-s. Në 2006-ën u mbyll kapitulli i burgjeve”, ka treguar Shehu.

Nga 2006-a, Asafi u shkëput nga sistemi dhe në vitin 2019 mendoi të rikthehet, duke marrë pjesë në konkursin, që Ministria e Drejtësisë hapi për drejtorë burgjesh, për 15 vende vakante.

“Lexova në të dhënat që kishte dhënë ministri i atëhershëm i drejtësisë, kushtet që plotësonte një kandidat, kushtet ligjore, preferenca e arsimit, background-i në punë. Shkurt fare thashë u bëra prapë drejtor. I përmbushja pa hyrë fare në konkurrim, lëri të tjerat. Gjithsesi mora materialet. Iu ktheva edhe njëherë atyre materialeve që unë i kam shkruar për t’i zbatuar sot të tjerët. Ta përsëris, atje i kanë mjetet që kam shkruar sidomos për burgjet e sigurisë së lartë. Në fillim fare nuk u plotësua kuorumi për 35 vende sepse 15 vende ishin në dispozicion. Çfarë ndodh? Aty pasi u ndanë tezat më ka rënë teza 648. Fillova të shkruaj, më bëri përshtypje që shumë persona sa erdhën u ulën dhe ikën menjëherë, tha ai.

Shehu u shpreh se testi ishte realizuar mirë për botëkuptimin e një drejtori. Asaf Shehu u kualifikua në fazën e parë të konkurrimit, kaloi me sukses dhe fazën e dytë dhe u shpall fitues, duke u njoftuar për këtë nga shefi i kabinetit të ministres. Të nesërmen u ftua në një takim personal nga ministrja, ku ishin edhe shefi i kabinetit të saj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili.

“Jam marrë në telefon nga shefi i kabinetit, nga një numër i zyrës rreth orës 19:30. Ju jeni fitues i konkursit për drejtor i IEVP-së. Nesër duhet të vini takim me zonjën ministre në orën 11:00. Kam takuar ministren, drejtorin e burgjeve, Agim Ismaili dhe shefi i kabinetit. U takuam në ambientet e ministrisë, përballë zyrave të ministres. Mund të jetë zyra e mbledhjeve. Atje më priti zonja ministre. Të them të drejtën më uroi, shumë më respektoi të them të drejtën si motër”, tregoi Shehu.

Në bisedë e sipër, Asafi shprehu opinionin e tij për konkursin e 2017-ës, duke thënë, se ky konkurs ishte i paracaktuar. Por kjo u bë fjalia, që përmbysi rrjedhën e ngjarjeve.

Asaf Shehu: Asaj i bëri përshtypje shkëputja ime prej kaq kohësh. Dhe i thashë: Unë nuk kam lekë që të paguaja. Mund të shkoja edhe më parë në punë. Nuk kam as krahë as mbështetje sot i thashë dhe ndaj besova tek konkursi i thashë. Konkursi i parë i thashë unë qe i paracaktuar. Aty ndodhi ndoshta përplasja me zonjën ministre sepse më tha: Kam qenë unë ministre?. Për fat të keq, Po, i thashë unë. Atëherë ministrja prapë me respekt ngrihet, më përshëndet, më jep dorën dhe më drejton nga shefi i kabinetit. Në fund të javës do të të njoftojë ai, je apo nuk je fitues.

Gazetari: Ju sikur ishit fitues, u morët në telefon si fitues dhe ju lanë takimin me ministren apo ajo përgjigje që ju dhatë i prishi balancat?

Asaf Shehu: Ju keni të drejtë, pikërisht këtu ndodh ajo që është shumë e rëndë për një shtetar apo një institucion komplet kundrejt një individi. Mua nuk më njoftuan ashtu siç më thanë. U detyrova me email, me numër telefoni, zonjës ministre, ministrisë dhe komisionit të testimit, asnjë nuk u përgjigj. /tvklan.al