Fitorja e partisë së majtë PASOK në Greqi, e udhëhequr nga Jorgos Papandreu ka shtuar shpresat në Shkup për gjetje sa më të shpejtë të zgjidhjes rreth çështjes së emrit.

Shpresa për zgjidhje të shpejtë pas formimit të qeverisë së re greke, posaçërisht mbretërojnë tek opozita e majtë maqedonase.

Andrej Petrov: “Lidhja socialdemokrate e Maqedonisë e përshëndet fitoren e majtistëve në Greqi dhe vlerëson se me këtë janë krijuar kushte për zhvillim të bisedimeve thelbësore rreth çështjes së emrit. Kuptohet se zgjidhja nuk do të vijë vetvetiu, por mendojmë se tani te pala tjetër kemi një partner me të cilin mund të bisedojmë më seriozisht.”

Në Maqedoni ekziston bindja se Papandreu dhe partia e tij PASOK kanë gatishmëri më të madhe për negociata rreth çështjes së emrit në krahasim me paraardhësin e tij Karamanlis. Një bindje të tillë e ndajnë edhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare. 

Rafiz Haliti: “Ne mendojmë se është koha që republika e Greqisë, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare të reflektojmë me energji pozitive drejt gjendjes së … sa i përket kontekstit me emrin e republikës së Maqedonisë.”

Flora Kadriu: “Demokracia e re pret dhe beson se qeveria e re që do të formohet në Greqi do të intensifikojë pikërisht negociatat dhe do të ndihmojë për zgjidhjen sa më të shpejtë në çështjen rreth emrit.”

Kontesti rreth emrit kushtetues të Maqedonisë daton që nga pavarësimi i saj në vitin 1991. Pas ardhjes në pushtet të kryeministrit maqedonas Nikolla Gruveski në vitin 2006, negociatat kanë mbetur në vend numëro./tvklan.al