Fitorja me Gjeorgjinë i motivon Kuqezinjtë për ndeshjet e nëntorit në “Air Albania” me synimin vendin e parë. Në një grup të fortë ku mund të ndodhë gjithçka, për trajnerin Sylvinho duhet ende punë për këtë objektiv.

“Unë mendoj se e merituam fitoren. Ajeti, Balliu, Tuci dhe të gjithë lojtarët e tjerë zhvilluan një ndeshje të bukur edhe ata hynë nga stoli. E kam thënë gjithmonë që është një grup i fortë. Jemi ende në garë për ndeshjet e nëntorit dhe duhet të punojmë, pasi ka ende punë për të bërë”, thotë Sylvinho.

Të kënaqur për suksesin në Tbilisi dhe me mendjen te ndeshjet e nëntorit janë edhe futbollistët.

Kristjan Asllani: Me shpirt dhe kararakter ia dolëm, pastaj erdhi edhe goli, u mbrojtëm shumë mirë të gjithë dhe stoli.

Adrian Ismajli: Erdhëm për ata që donim dhe po kthehemi në shtëpi më të motivuar se kurrë për ndeshjet e nëntorit.

Ylber Ramadan: Shpirti më i duhur i garës dhe mendoj që luftuam për njëri-tjetrin, fati që na mungoi në Çeki.

Për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për ndeshjet e fundit në shtëpi nuk duhet të mendohet se fitoret mund të arrihen lehtësisht, edhe pse objektivi nuk ndryshon.

“Ne vazhdojmë të kemi objektivin për vendin e parë në grup. Është një objektiv i vështirë, pasi ai që mendon se ne kemi 2 ndeshje në shtëpi dhe lehtësisht do t’i fitojmë dhe të dalim në vend të parë gabon”, shprehet Duka.

Vendi i parë në grupin e Ligës së Kombeve, përveçse vlen për t’u ngjitur në Ligën A, të jep mundësinë të marrësh pjesë në play off për Botërorin e 2026.

Tv Klan