Jo domosdoshmërisht të gjithë më të votuarit në primarët e PD të shtunës do të jenë në listën e mbyllur të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.

Teksa e cilëson një proces demokratik brenda partisë, kryetari Sali Berisha, tha se primaret treguan potencialin e kandidatëve, por para se të shkojnë në listën përfundimtare për deputet do të kalojnë edhe në filtrin e krysisë së PD.

“Kjo garë nuk është bërë për të qenë në lista të sigurta, por në përpilimin e listave të mbyllura, ky është një nga kriteret kryesore. Vlera e parë e madhe e primareve është të bësh një listë të hapur dhe transparente. Në këtë aspekt ajo shërben shumë si orientues dhe vendosja apo jo në listë të hapur edhe listë të mbyllur përcaktohet nga disa kritere”, tha Sali Berisha.

Berisha thotë se kryesia nuk do të bëjë propozime për emra për të qenë në listën e kandidatëve për deputet, por do të vlerësohen nëse të votuarit e primareve, i plotësojnë kriteret.

“Në princip jo. Kryesia ka detyrë të mbrojë parimet e statutit. Por jashtë kësaj praktike, njerëz që s’janë futur në primare, shumë e vështirë, por never say never, never say never”, tha kryedemokrati.

Teksa bëhet gati për përzgjedhjen e emrave që do të ketë në listë, PD ende nuk ka gati marrëveshjen e koalicionit me aleatët.

“Nuk ka ngecur, nuk ka ngecje të negociatave. Negociatat ecin mirë, marrëveshja do të dorëzohet në mesnatë”, tha Berisha.  

Në kuadër të bashkëpunimit me aleatët, Berisha deklaroi më herët nga SPAK, ku zbatoi masën e sigurisë detyrim paraqitje, se, kryetari PL, Ilir Meta do të jetë në listën e mbyllur për shkak se nuk mund të bëjë fushatë nga burgu.

Klan News