“Kënga Magjike” është vetëm pak orë larg nisjes së natës së parë gjysmëfinale që do të transmetohet në orën 20:00 në Tv Klan. Festivali i muzikës që bën bashkë artistë të njohur e të rinj risjell sërish magjinë në skenën e Pallatit të Koncerteve.
Provat për këtë moment kanë nisur dhe emisioni “Rudina” është gjendur gjatë përgatitjeve për të marrë një shije nga prapaskenat. Producenti dhe drejtuesi i festivalit, Ardit Gjebrea shprehet se emocionet nuk i largohen asnjëherë, ndërsa zbulon edhe një nga surprizat që vjen për herë të parë në festivalet shqiptare.
Ardit Gjebrea: Emocione ka gjithmonë, edhe pse viti 24-t, por ka emocione, nuk ikin asnjëherë.
-Çfarë risie mund të kemi këtë vit që mund ta zbulojmë pak?
Ardit Gjebrea: Le ta zbulojmë risinë e parë. Në lojë për herë të parë në konceptin e festivaleve në Shqipëri do të futet Inteligjenca Artificiale. Bëhuni gati, çudira do të ndodhin.
Ndër artistët “Big” është Eneda Tarifa që ka spikatur me këngën “Më fort” dhe pamjen mbresëlënëse që shkrin dy gjinitë.
Eneda Tarifa: Sa më shumë prova të bësh, aq më mirë është. E kupton që kjo do të ndodhë kështu që mundohem që live’ dhe natën ku unë do të këndoj ta perceptoj si një prove gjenerale që mos të kem shumë emocione se ndryshe do të më mbysin emocionet.
Edhe për Jonida Maliqin ky rikthim skenik është shumë emocionues, por i mbushur me përgjegjësi. Ajo konkurron me “Asnjë tjetër”.
Jonida Maliqi: Rikthehem në skenë pas 5 vitesh, pas debutimit tim të fundit në Eurovision dhe sigurisht që përgjegjësia dhe emocioni është i jashtëzakonshëm, edhe përgjegjësia për më tepër. Veshja është kuruar me detaje, ashtu sikurse vazhdon heroi i luftës, Joni Peçi dhe sigurisht është një këngë jo vetëm imja, personale, por mendoj që çdokush e gjen vetveten në atë poezi./tvklan.al