Puna kërkimore për mbledhjen e fjalëve sipas rendit alfabetik të 36 shkronjave të alfabetit ka përfunduar. Grupi hartues i Akademisë së Shkencave ka hyrë në fazën e fundit, atë të redaktimit të Fjalorit të Madh të gjuhës sonë amtare.
Në tavolinë, gjuhëtarët kanë deri në 200 mijë fjalë prej të cilave deri në fund të vitit, redaktorët mund të shtojnë ose mund të heqin nga këto fjalë, duke lënë Korpusin përfaqësues të të folurës Shqipe, i cili mund të arrijë deri në 100 mijë-110 mijë fjalë.
Shezai Rrokaj, gjuhëtar: Objektivi ka qenë 90 mijë fjalë, mund të shkojë 100, 110 mijë. Shifra e saktë nuk mund të jepet. Është një punë në vazhdim deri në ditën që do jetë si variant i shkruar.
Edhe pse Fjalori i Gjuhës Shqipe duhej të mbyllej brenda këtij viti, puna kërkimore ka dalë tej pritshmërive. Në Nëntorin e këtij viti do të prezantohet vetëm formati online i punës kërkimore disavjeçare.
Shezai Rrokaj, gjuhëtar: Do të ketë një variant online, pastaj do të pritet edhe që të ketë sugjerime apo vërejtje. Vitin e ardhshëm do të përgatitet për shtyp.
Ndryshe nga fjalorët e mëparshëm të shqipes standarte, kësaj radhe, shtrati i fjalëve zgjerohet, duke përfshirë dhe ato që deri më tani quheshin krahinore, e që i përkasin arbëreshëve, arvanitasve dhe atyre në trevat shqipfolëse.
Shezai Rrokaj, gjuhëtar: Nga fjalë si me prejardhje gege të shkojë deri në 20 e ca mijë fjalë që nuk kanë qenë në asnjë Fjalor të Shqipes standarte. Synon të ngrejë një platformë fjalësh si të pranueshme.
Në fillim të vitit 2025, ky fjalor i Akademisë së Shkencave, do të jetë gati për shtyp, dhe do të bëhet i katërti fjalor i madh i gjuhës shqipe.
Tv Klan