Pas ditëve me diell të fillimit të Janarit, kjo fundjavë e parë e vitit 2025 do të rikthejë motin tipik dimëror. Sinoptikanët parashikojnë rrebeshe shiu, por edhe borë në zonat malore.
“Gjatë natës do të ketë reshje me intensitet të lartë përgjatë Ultësirës Perëndimore. Rikthehen reshjet e dëborës sonte gjatë natës dhe përgjatë ditës së shtunë pothuajse në të gjithë zonën malore. Sa i përket të shtunës, ulet pak intensiteti i reshjeve dhe kryesisht do të kemi reshje dëbore për shkak se do të kemi rënie të menjëhershme të temperaturave. Presim që dita e shtunë të shkojë -4, -5 në zonat verilindore, -3,-4 në zonat e juglindjes duke bërë që të gjitha reshjet që do të bien gjatë natës dhe paradites së të shtunës do të jenë reshje dëbore”, tha Lajda Porja.
Dita e diel do të sjellë përmirësim të motit, por do të shoqërohet me ulje të ndjeshme të temperaturave.
“Dita e diel do të sjellë një përmirësim të përkohshëm të kushteve atmosferike që do të jetë një ditë pa reshje, por e ftohtë, pasi mëngjesin e së dielës presim sërish rënie të temperaturave”, tha Porja.
E njëjta panoramë sinoptike do të jetë në këtë fillim viti edhe në vendet e rajonit, por në Kosovë sinoptikanët paralajmërojnë drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët të bëjnë kujdes me ngricat në rrugë.
Klan News