“Kur panë se gjuhës s’i hodhën dot prangat, lëshuan drejt saj gjithfarë merimangash. Parashtesa e pjesëza e lidhëza së prapthi, të bukurën gjuhë ta bënin lesh arapi”.
Këto vargje të Ismail Kadaresë që kryeministri i citoi në Kuvendin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, janë më aktuale se kurrë sot kur të gjithë përfshirë dhe Rama, pranojnë se gjuha jonë është nën kërcënim real nga platformat online.
“Jemi në kushtet e një presioni të llahtarshëm kundër gjuhës shqipe, kundër drejtshkrimit të gjuhës shqipe, kundër artikulimit të kujdesshëm të gjuhës shqipe, si rezultat i rrjeteve sociale”, shprehet Rama.
Por në kushtet kur pasurimi i gjuhës shqipe duket një hap i pamundur, kryeministri kërkon të paktën të përforcohet rezistenca për ta mbrojtur atë. E si një hap i rëndësishëm në këtë drejtim ai vlerëson hartimin nga akademike e gjuhëtarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Fjalorit të ri të Gjuhës Shqipe.
“Sot më vjen shumë mirë që si pjesë e kësaj rezistence, ne mund të themi që jemi në momentin historik, sa i përket gjuhës të prezantimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe, që më në fund, pas gjysmë shekulli, në dijeninë time, do të prezantohet publikisht edhe drafti, le të themi, i këtij fjalori. Them drafti sepse fjalori do të hidhet në një konsultim shumë të gjerë publik dhe do të merren të gjitha ato opinione, të gjitha ato sugjerime, të gjitha ato vërejtje e të gjitha ato kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si një produkt të përbashkët të një rezistence të domosdoshme në një përpjekje ku, siç e thashë dhe më parë, ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm sepse jemi nën agresionin e barbarisë dhe të gjithfarëlloj injorantësh dhe delirantësh që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale, por e kemi detyrim të patjetërsueshëm që të jemi në mbrojtje dhe që të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e mos-kthimit”, shprehet Rama.
Por ashtu siç mendon se armiqtë e vërtetë të Gjuhës Shqipe jemi vetë ne shqiptarët, po ashtu mendon se historinë tonë e pengojmë po vetë ne që të shkruhet ashtu siç është e ku politika të mos ndërhyjë për ta retushuar. Ai thotë se një përpjekje serioze gjithsesi është duke u bërë ashtu si dhe për fjalorin nga Akademia e Shkencave.
“Maksimilian Lamberc, shkruan se, “Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm atëherë kur shqiptarët të lejohen ta shkruajnë historinë e tyre”. Tani u bënë shumë vite që nuk na pengon askush ta shkruajmë historinë tonë, por është dikush që nuk na lë ta shkruajmë historinë tonë, që jemi ne dhe në këtë përballje me vetveten, në radhë të parë, ne po përpiqemi, siç bëmë me fjalorin, që të mbështesim dhe e kemi mbështetur Akademinë e Shkencave, për të shkruar librin e madh të historisë së shqiptarëve. Me sa jam informuar, kanë thuajse përfunduar ato volumet jo problematike, se deri tek Mesjeta merremi vesh përgjithësisht, duke përjashtuar këtu zëdhënësit e pellazgëve që janë një prurje më vete në këtë lëmë dhe duke folur për pellazgët, në fakt përpiqen të mbrojnë interesat e tyre, por tani vjen dhe pjesa e vështirë ose më e vështirë, por nuk është përsëri puna ime, nuk është puna e qeverisë të ndikojë se si do të dalë në librin e madh të historisë kjo pjesë tjetër, e cila vjen e afrohet shumë pranë të gjallëve që janë ende sot fatmirësisht në jetë dhe janë aktivë”, tha Rama.
Tv Klan