Kryeministri dhe mbreti i Suedisë e cilësojnë një epokë të re që tregon gatishmërinë e vendit për të mbrojtur paqen

Flamuri i NATO-s u ngrit jashtë parlamentit suedez në një ceremoni ku morën pjesë mbreti Carl Gustaf dhe kryeministri Ulf Kristersson.

Para se flamuri të ngrihej së bashku me flamurin suedez dhe të Bashkimit Evropian, Mbreti Carl Gustaf tha se do të ishte një gjest simbolik që tregon “gatishmërinë e Suedisë për të mbrojtur paqen dhe lirinë.

“Anëtarësimi ynë nuk synon kundër askujt, gjithashtu nuk ndryshon bazat apo synimet e politikave tona të jashtme dhe të mbrojtjes. Ruajtja e lirisë dhe pavarësisë së Suedia vazhdon të jetë qëllimi ynë më i rëndësishëm. Flamuri i NATO-s do të ngrihet jashtë ndërtesës së parlamentit, ky gjest simbolik tregon gatishmërinë tonë që së bashku me vendet e tjera të NATO-s të ruajmë paqen dhe lirinë, jo vetëm për ne që jetojmë sot këtu, por edhe për brezat e ardhshëm.”

Ashtu sikurse kryetari i parlamentit edhe kryeministri Ulf Kristerson e cilësuan këtë moment një epokë të re për Stokholmin.

“Një epokë e re ka filluar, sot ne qëndrojmë këtu, në mënyrë të qëndrueshme, së bashku për paqen, për lirinë – një për të gjithë, të gjithë për një.”

Suedia u bashkua zyrtarisht me NATO-n më 7 Mars, dy vjet pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë që e detyroi atë të rimendonte politikën e saj të sigurisë kombëtare dhe të arrinte në përfundimin se mbështetja për aleancën ishte garancia më e mirë e vendit për sigurinë.

Për NATO-n, anëtarësimet e Suedisë dhe Finlandës e cila ndan një kufi prej 1,340 km me Rusinë janë më domethënëset në dekada. Kjo është gjithashtu një goditje për presidentin rus Vladimir Putin, i cili ka kërkuar të parandalojë çdo forcim të mëtejshëm të aleancës. Javën e kaluar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u shpreh se pranimi i Suedisë tregon përsëri se dera e aleancës ushtarake mbetet e hapur dhe se askush nuk mund ta mbyllë atë.

Klan News