Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian ka diskutuar raportin e eurodeputetit Knut Fleckenstein për integrimin europian të Shqipërisë. Ky raport ka në thelb mbështetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në Qershor të 2019, duke vendosur theksin edhe te dobësite aktuale në procesin e reformave.

Gjatë debatit në gjirin e eurodeputetëve, Fleckenstein vuri në pah ecurinë e mirë të procesit të Vettingut, por ka kërkuar vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Knut Fleckenstein:

“Ne mirëpresim qëndrimin e Këshillit të Ministrave për të hapur negociatat vitin e ardhshëm. Ne jemi të kënaqur me përparimin e reformës ambicioze të drejtësisë dhe po shohim frytet e para të saj dhe ecurinë pozitive të procesit të Vettingut”. 

Eduard Kukan:

Ne duhet të përçojmë mesazhet kryesore përmes këtij raporti. Së pari, Shqipëria ka bërë progres dhe ne duhet të mbështesim hapjen e negociatave në Qershor të vitit 2019. Duhet të jemi realistë, qeveria shqiptare duhet të zgjidhë problematikën në rritje të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, që në shumë mënyra po cënojnë progresin e vendit”. 

Raporti i Fleckenstein ka hasur në një mbështetje të gjerë të grupimeve politike.

Tv Klan