Gazetari italian Fabrizio Paladino, i cili ishte i pari që publikoi lajmin në mediat e vendit fqinj për zhdukjen në Shqipëri të sipërmarrësit italian Davide Pecorelli, ka folur në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka.
Gazetari italian thotë se me Davide Pecorellin ka pasur miqësi të hershme prej shumë vitesh dhe lajmin për zhdukjen e tij e mësoi 10 ditë pasi biznesmeni italian kishte humbur gjurmët dhe nuk kishte asnjë informacion për të. Më pas vendosi që ta publikonte si lajm.
Spartak Koka: Kam mësuar se ti je një mik i Davide Pecorelli.
Fabrizio Paladino: Po, unë dhe Davide njihemi prej të paktën 15 vitesh, e njoh që nga kohët që ai ishte arbitër në fillim dhe më pas arriti deri në Serinë A. Ka qenë arbitri i katërt në ndeshjen Fiorentina-Empoli dhe më pas së bashku kemi patur një eksperiencë në futboll sepse unë kam një pasion të madh për futbollin. Në vitin 2010 ai kishte themeluar një skuadër futbolli që më pas u kthye në një reality si ai i Çiço Graciani në Canale 5, por për fillestarët dhe më pas prej aty kemi hyrë në televizionet e Umbrias, me të kemi patur gjithnjë shumë sintoni. Më pas në 2012 u kthye në sipërmarrës me kohë të plotë dhe administronte dhe administron motele, një qendër estetike dhe më pas vitet e fundit siç e dimë ka hapur edhe disa qendra estetike si parukeri duke e zgjeruar aktivitetin e tij. I kemi humbur pak kontaktet, por gjithnjë kemi patur marrëdhënie shumë të mira.
Spartak Koka: Ti je i pari që ke shkruar në media rreth zhdukjes së Davides. Kur e mësuat se ai ishte zhdukur?
Fabrizio Paladino: Atëherë unë e kam zbuluar në 16 Janar, praktikisht 10 ditë pasi ai kishte humbur gjurmët e tij, pasi siç e dimë, familjarët, partnerja shqiptare, babai, vëllai , ish-gruaja dhe fëmijët e tjerë po e kërkonin që nga ajo ditë pasi ai çdo darkë telefonte në shtëpi edhe nëse ishte me shërbim në këtë rast ishte në Shqipëri që nga data 3, telefonte në shtëpi për të folur me fëmijët. Atë darkë nuk mori në telefon dhe janë shqetësuar, por lajmi nuk ka dalë në asnjë vend.
Familjarët, si të afërmit e ish-gruas ashtu edhe të partneres aktuale, kanë vendosur gjatë këtyre 10 ditëve si një zgjedhje legjitime që nuk kontestoj që të mos lënë lajmin të publikohet, ndonëse Davide nuk po bëhej i gjallë…Unë pata mundësinë të flas me një mik të përbashkët që më sinjalizoi diçka të tillë duke më thënë nëse dija ndonjë gjë në atë pikë u aktivizova dhe doli në dritë gjithçka çfarë dimë. /tvklan.al