Meanada Zaimi: “Zoti kryeministër pse zgjodhët pikërisht Italinë si partner strategjik? Nënshkruat sot një dokument mjaft të rëndësishëm.”
Sali Berisha: “Unë mendoj se ky partneritet është rezultat i një bashkëpunimi miqësor i një solidariteti të pa precedent, i një miqësie gjithnjë në zhvillim e sipër dhe në konsolidim midis dy vendeve dhe kombeve tona. Italia që në momentin e parë të hapjes së Shqipërisë deri sot është gjetur pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha momentet me ndihmën më të çmuar dhe më të fuqishme. Italia është partneri i parë, tregtar dhe në investime në Shqipëri. Në Itali jetojnë mbi gjysmë milioni shqiptar të cilët numërojnë rreth 22 mijë inpreditor, sipërmarrës. Pra gradualisht shqiptarët këtu po shndërrohen në një faktor gjithnjë e më të rëndësishëm, por mos të harrojmë kontributin e tyre shumë të madh në zhvillimin e Shqipërisë. Besoj se marrëveshja që firmosëm dhe fryma e bisedimeve ishin të shkëlqyera dhe dëshmojnë jo vetëm për një vullnet të madh midis dy qeverive të vendeve tona, por një perspektivë të re të shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve.”
Meanada Zaimi: “Sot kryeministri Berlusconi përmendi afate shumë të rëndësishme përsa i takon liberalizimit të vizave apo edhe statusit të vendit kandidat Shqipëri-BE. A morët mbështetjen e duhur që këto objektiva të mund të realizohen brenda vitit 2010?”
Sali Berisha: “Unë mund tu them ju se kryeministri Berlusconi më garantoi si për vlerësimin e tij të madh për progresin e Shqipërisë ashtu edhe për mbështetjen e tij të plotë dhe totale, për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE statusin e kandidatit siç e theksoi vetë dhe heqjen e vizave. Pra ne kemi avokatët më të shkëlqyer në qeverinë e Silvio Berlusconit, me kryeministrin Silvio Berlusconi, tek ministri Frattini dhe tek miqtë tanë këtu.”
Meanada Zaimi: “Thatë që jeni njeri i kompromiseve, kjo do të jetë fryma nesër?”
Sali Berisha: “Absolutisht në konceptin tim demokracia është dialog, është kompromis, është marrëveshje dhe unë shkoj i vendosur për të bërë çdo përpjekje që është në dorën time. Natyrisht jo çdo gjë fatmirësisht dhe jo gjithçka është në dorën e njeriut, të individit, se janë edhe të tjerë që kanë. Po e mbyll vizitën me një takim të shkëlqyer që pata me kryetarin e bashkisë së Romës me të cilin ramë dakord që të intensifikojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat midis Shqipërisë dhe Italisë, midis Romës dhe Shqipërisë. Veçanërisht në pranverën kulturore që po vjen që do të jetë pranvera italiane në Shqipëri ku janë të parashikuara një seri veprimtarish kulturore. Natyrisht shfrytëzova rastin dhe diskutova gjerësisht me kryetarin e bashkisë bashkërendime në nderimin e 100 vjetorit të ditëlindjes së Nënë Terezës, në 100 vjetorin e saj. Sikundër shpreha dëshirën që gradualisht të rishqyrtohet mundësia që një shesh në kryeqytetin e Italisë të mund të mbajë emrin e Nënë Terezës dhe qeveria shqiptare të kontribuoj me një shtatore të bukur.”/tvklan.al
Gazetare: Meanada Zaimi